Rusia mbështet shtatë kërkesat e Vuçiqit për Kosovën

Masat e presidentit serb Aleksandar Vuçiq për Kosovën janë hapi i vetëm i mundshëm për Beogradin në këtë situatë dhe Moska e mbështet, ka thënë të premten zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Maria Zakharova.

Vuçiqi ka prezantuar më 13 shtator shtatë kërkesa e pesë masa që shteti i tij do t’i ndërmarrë “pas tensioneve të fundit” në veri të Kosovës.

“Iniciativa e presidentit Vuçiq tregon se ky është i vetmi hap i mundshëm që Beogradi e sheh tani. Ne mbështesim plotësisht kërkesat e parashtruara, mirëpresim synimin për kthimin e forcave serbe të sigurisë në Kosovë në përputhje të plotë me Rezolutën 1244 të Këshilli i Sigurimit i OKB-së”, ka thënë Zakharova në një konferencë në margjinat e Forumit të Grave Euroaziatike, siç raporton agjencia RIA Novosti.

Ajo ka shtuar se vetëm vendosja e status quo-s, kthimi në thelbin e Marrëveshjeve të Brukselit “mund të ofrojë bazë për dialog të mëtejshëm të frytshëm”.

Në mesin e kërkesave si “parakushte të domosdoshme për përparim domethënës në dialog”, Vuçiqi ka renditur atë për shpalljen dhe mbajtjen e “zgjedhjeve lokale të lira dhe demokratike” në veri, me pjesëmarrjen e misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe me mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian (BE), atë për kthimin e policëve dhe zyrtarëve të sistemit të drejtësisë në vendet e tyre të punës, formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga rajoni i veriut, zbatimin e menjëhershëm të “garancive të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara nga 28 dhjetori i vitit 2022, lirimin e menjëhershëm të të gjithë të burgosurve politikë të arrestuar nga Policia e Kosovës” dhe kryerjen e pagesave në veri me valutën serbe, dinar.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button