Rusia lëshon mbi 400 dronë, vriten katër persona

Të paktën 4 persona janë vrarë dhe të paktën 15 të tjerë janë plagosur, nga sulmet ruse me raketa dhe dronë në rajonin e Kievit. Sulmet janë kryer gjatë natës deri në orët e para të së shtunës, tha kreu i administratës rajonale për kryeqytetin ukrainas, Mykola Kalashnyk.

Tre nga të plagosurit janë në gjendje kritike, dy prej të cilëve po i nënshtroheshin një ndërhyrjeje kirurgjikale, tha ai. Sulmi goditi katër lagje, duke dëmtuar ndërtesa banimi, institucione arsimore, ndërmarrje dhe infrastrukturë kritike, shtoi Kalashnyk në një postim në rrjetet sociale.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se objektivi kryesor i sulmeve ishte “infrastruktura energjetike e rajonit të Kievit”. Ai tha se Rusia lëshoi rreth 430 dronë të llojeve të ndryshme, si dhe 68 raketa.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë njoftoi të shtunën se sulmet e natës kishin në shënjestër objektet energjetike dhe industriale që u shërbejnë forcave të armatosura të Ukrainës, si dhe aeroportet ushtarake.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button