Rritje e përqindjes së turistëve, numri më i madh nga Turqia

Maqedonia po përjeton një intensifikim të trafikut turistik dhe një rritje të interesit të turistëve të huaj nga vendet e Evropës Perëndimore, kryesisht nga Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe, njoftoi Ministria e Kulturës dhe Turizmit, e cila analizoi të dhënat e fundit mbi lëvizjen e turistëve të huaj në vend për pesë muajt e parë të vitit 2025 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

“Është regjistruar një rritje prej 23,6 për qind te turistët e huaj dhe rritje prej 18,7 për qind te bujtjet e realizuara. Në pesë muajt e parë të vitit 2025, qarkullimi turistik në Maqedoni shënon rritje të dukshme në krahasim me periudhën e njejtë të vitit 2024. Veçanërisht dallohet Gjermania me rritje prej 219 për qind në numrin e turistëve dhe 146 për qind në bujtje, duke treguar një interes të shtuar ndjeshëm të turistëve gjermanë për të vizituar vendin tonë. Franca regjistroi rritjen më të lartë me 398 për qind më shumë turistë dhe 303 për qind më shumë bujtje, duke u pozicionuar si një objektiv i ri strategjik i politikave turistike. Britania e Madhe regjistroi një rritje të konsiderueshme prej 204 për qind të numrit të turistëve dhe 139 për qind të bujtjeve. Turqia, e cila ishte tregu kryesor në vitin 2024, vazhdon me një rritje të qëndrueshme prej 11 për qind të numrit të turistëve dhe 21 për qind të bujtjeve, duke ruajtur pozicionin e saj të parë për sa i përket numrit të përgjithshëm të turistëve dhe bujtjeve”, informoi Ministria.

Këto rezultate, nënvizohet në kumtesë “konfirmojnë dinamikën pozitive dhe interesin e rritur për Maqedoninë si destinacioni turistik atraktiv i hartës evropiane”.

“Maqedonia shënon një interes në rritje midis vizitorëve të huaj për turizëm kulturor në muajt jashtë sezonit tradicional, gjë që kontribuon ndjeshëm në anulimin e turizmit sezonal, rritjen e të ardhurave totale nga turizmi dhe forcimin e ekonomisë lokale. Ky trend është me rëndësi të jashtëzakonshme sepse krijon aktivitet të vazhdueshëm turistik gjatë gjithë vitit, angazhon komunitetet lokale, artizanët, guidat dhe ofruesit e ushqimit, dhe mundëson zhvillim të ekuilibruar ekonomik jashtë qendrave turistike”, deklaron Ministria e Kulturës dhe Turizmit.

Ministria shton se do t’i përdorë këto të dhëna “për të synuar me saktësi aktivitetet promovuese, për të përgatitur programin e sektorit të turizmit, për të forcuar lidhjet ajrore me tregjet e reja dhe për të mbështetur në mënyrë aktive operatorët e turizmit”.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button