Rritja e pagës minimale në 450 euro mbetet pezull– do të negociohet

Është e paqartë nëse në 100 ditët e para të punës së Qeverisë së re do të rritet paga minimale siç kërkojnë sindikatat. Nuk ka asgjë për këtë në programin e Qeverisë. Ministri i ri i Ekonomisë dhe Punës, Durmishi, ka premtuar sot se paga minimale do të jetë pika e parë që do të diskutohet në takimin e parë me sindikatat, por nuk ka specifikuar se kur do të bëhet ai takim. Fillimisht ai duhej të njihej me punën e ministrisë së re.
Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë tashmë disa herë i ka bërë apel qeverisë së re, që në vend të muajit mars kur zakonisht bëhet korrigjimi, të rritet paga minimale nga 367 euro aktuale në 450 euro më së voni deri në fund të shtatorit. Ata thonë se për momentin vendi ka pagën minimale më të ulët në rajon dhe qytetarët janë vazhdimisht të ekspozuar ndaj rritjes së kostove.
“Kemi qenë dëshmitarë se ndërkohë që pagat e punëtorëve po rriten në mënyrë margjinale, me ritme të ngadalta dhe të pamjaftueshme ndaj inflacionit dhe kostos së jetesës në rritje, ose aspak, zyrtarët kanë siguruar një rritje të jashtëzakonshme dhe të pamerituar prej 78%. Punëtorët kërkojnë një jetë dinjitoze për veten dhe familjet e tyre. Kërkojnë dhe presin një pagë minimale prej të paktën 450 euro në 100 ditët e para të qeverisë së re si garanci për mbrojtjen e kategorisë më të cenueshme të popullsisë si dhe për parandalimin e daljes së fuqisë punëtore në vendet e rajoni”, thonë nga LSM.
LSM llogariti gjithashtu se një familjeje prej katër anëtarësh i duhen më shumë se 1000 euro për t’ia dalë mbanë muajit. Dy paga minimale nuk mjaftojnë për t’i mbuluar ato.
Më parë u morën masa për zbutjen e ndikimit të inflacionit, por ato nuk ishin të mjaftueshme sepse çmimet po rriteshin shumë shpejt. Së fundi, paraardhësi i ministrit Durmishi, Bekteshi, ka përpiluar një listë të produkteve në të cilat marzhi nuk do të jetë më i lartë se 10 për qind. Nuk dihet nëse kjo do të korigjohet. Do të diskutohet me odat ekonomike dhe nëse ka nevojë do të bëhet.