Rritet në 85 numri i nxënësve të vrarë në një shkollë në Iran, nga sulmet izraelite-amerikane

Është rritur në 85 numri i nxënëseve të vrara në shkollën fillore për vajza në Minab, qytet në provincën Hormozgan në jug të Iranit, sipas mediave shtetërore, ndërsa kostoja e menjëhershme civile nga bombardimet masive të Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara ndaj Iranit po bëhet gjithnjë e më e qartë.
Agjencia gjysmëzyrtare iraniane e lajmeve Tasnim News Agency citoi Gjykatën e Minabit duke thënë se numri i të vdekurve ishte rritur në 85 pas sulmit të së shtunës ndaj shkollës.
Punëtorët po vazhdojnë pastrimin e rrënojave në vendngjarje, ku 63 persona të tjerë u plagosën të shtunën, raportoi agjencia shtetërore iraniane Islamic Republic News Agency. Sulmi është pjesë e një vale sulmesh të përbashkëta ushtarake SHBA–Izrael në mbarë Iranin.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ndau një foto të sulmit, për të cilin tha se shkatërroi shkollën e vajzave dhe vrau “fëmijë të pafajshëm”.
“Këto krime kundër popullit iranian nuk do të mbeten pa përgjigje,” shkroi Araghchi në një postim në X.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baghaei, dënoi gjithashtu “krimin e hapur” dhe bëri thirrje për veprim nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.
Ndërkohë, agjencia iraniane e lajmeve Mehr News Agency raportoi se të paktën dy nxënës u vranë nga një tjetër sulm izraelit që goditi një shkollë në lindje të kryeqytetit, Teheran.



