Rritet në 436 numri i palestinezëve të vrarë në sulmet izraelite në Gaza

Ministria palestineze e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se numri i personave të vrarë në sulmet izraelite që nga dje është rritur në 436 ndërsa numri i të plagosurve në 678, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë në llogarinë e saj në rrjetet sociale, Ministria dha informacione për humbjet e jetëve dhe të plagosurit në sulmet që Izraeli nisi dje në mëngjes në Rripin e Gazës duke prishur armëpushimin.
Numri i personave që humbën jetën në sulmet e kryera nga Izraeli që prej ditës së djeshme është rritur në 436 ndërsa numri i të plagosurve është rritur në 678.
Numri i palestinezëve që humbën jetën në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023 e deri më tani ka arritur në 49.547 ndërsa numri i të plagosurve në 112.719.
Ushtria izraelite prishi armëpushimin dhe rifilloi sulmet në Gaza
Ushtria izraelite rifilloi sulmet e saj të dhunshme dje në mëngjes pas armëpushimit që hyri në fuqi në Rripin e Gazës më 19 janar. Në sulmet ajrore që ushtria izraelite kreu në Rripin e Gazës mëngjesin e 18 marsit, humbën jetën të paktën 400 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, ndërsa u plagosën mbi 500 të tjerë.
Ushtria izraelite njoftoi se ka rifilluar sulmet në shkallë të gjerë në Gaza në përputhje me udhëzimet e nivelit politik.
Në një deklaratë nga Zyra e Kryeministrisë izraelite thuhet se sulmet kanë filluar me urdhër të kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe ministrit të Mbrojtjes Yisrael Katz. Izraeli i cili shkeli armëpushimin tha se do të vepronte kundër Hamasit me “forcë ushtarake në rritje”.
Hamasi tha se “Izraeli nuk i mbajti premtimet dhe rifilloi gjenocidin ndaj popullit palestinez në Rripin e Gazës duke mos përmbushur përgjegjësitë e tij përpara syve të vendeve që ndërmjetësuan armëpushimin”.
Familjet e të burgosurve izraelitë në Rripin e Gazës akuzuan qeverinë e Netanyahut se “ka hequr dorë nga pengjet” dhe thanë se paraqitja e rikthimit të pengjeve nga qeveria si justifikim për rifillimin e luftës është “mashtrim i plotë”.
Partitë opozitare në Izrael theksuan se sulmet rifilluan nën hijen e hapave të diskutueshëm politikë të kryeministrit Netanyahu, si shkarkimi i drejtorit të agjencisë vendase të inteligjencës Shin-Bet.