Rreth 1 milion euro të padeklaruara zbulohen në vendkalimin kufitar Merdare

Dogana e Kosovës ka njoftuar se zyrtarët e saj kanë zbuluar rreth 1 milion euro mjete monetare të padeklaruara gjatë një kontrolli në vendkalimin kufitar Merdare, transmeton Anadolu.

Sipas njoftimit zyrtar, rasti ka ndodhur sot në hyrje të territorit të Kosovës, kur një automjet u selektua për kontroll të detajuar bazuar në analizën e rrezikut dhe procedurat standarde operative.

Automjeti fillimisht iu nënshtrua kontrollit përmes pajisjes së skanimit me rreze X, ku u identifikuan indikacione për ekzistimin e një hapësire të dyshimtë të modifikuar në dysheme.

Pas këtyre dyshimeve, Dogana e Kosovës kërkoi asistencë nga Policia Kufitare e Kosovës, e cila ofroi mbështetje teknike përmes pajisjes fibroskopike.

Gjatë kontrollit të përbashkët, autoritetet konfirmuan dyshimet e ngritura nga skaneri, duke zbuluar mjete monetare të padeklaruara të fshehura në një hapësirë të improvizuar brenda automjetit.

Sipas vlerësimeve fillestare të autoriteteve doganore, shuma e mjeteve monetare dyshohet të jetë rreth 1 milion euro.

Dogana bëri të ditur se njësitë hetimore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa prokurori kompetent është njoftuar dhe në koordinim me të po ndërmerren veprime të mëtejme hetimore në përputhje me autorizimet ligjore.

Dogana e Kosovës theksoi se përdorimi i teknologjisë së avancuar të kontrollit, përfshirë skanerët me rreze X, mbetet një ndër mekanizmat kyç për zbulimin e rasteve të kontrabandës dhe parandalimin e veprimtarive të kundërligjshme financiare.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button