Rrëshqitje dheu në Etiopi, të paktën 146 viktima
Numri i viktimave si pasojë e rrëshqitjeve të dheut në zonën Gofa në jug të Etiopisë u rrit në 146, konfirmoi të martën një zyrtar i qeverisë lokale, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë thuhet se teksa përpjekjet e kërkim-shpëtimit janë duke vazhduar numri i të vdekurve mund të rritet. Fatkeqësia, e cila mori jetën e shumë njerëzve, përfshirë gra dhe fëmijë, ndodhi në zonën e largët.
“Të paktën 96 burra dhe 50 gra, përfshirë fëmijë, humbën jetën në fatkeqësi”, tha përfaqësuesi i qeverisë Zonal dhe kreu i komitetit të fatkeqësive, Habtamu Fetena.
Një tjetër zyrtar lokal, Misikir Mitiku tha se në mesin e viktimave ka edhe shpëtimtarë, ndërsa disa prej tyre janë zhdukur gjatë përpjekjeve të kërkim-shpëtimit.
Pas rrëshqitjes vdekjeprurëse të dheut, guvernatori i Gofa-s, Dagmawi Ayele lëshoi një deklaratë duke theksuar nevojën që komuniteti të jetë më i përgatitur për t’u përballur me fatkeqësi të tilla në të ardhmen.
“Komuniteti tani e tutje duhet të jetë i pajisur dhe të jetë gati për t’u mbrojtur nga fatkeqësi të tilla, pasi zona është më e rrezikuara”, tha Ayele. Ai shtoi se përpjekjet e kërkim-shpëtimit janë duke vazhduar dhe se ndikimi i plotë i rrëshqitjes së dheut ende nuk është vlerësuar plotësisht.
Rrëshqitjet e dheut në jug të Etiopisë janë të shpeshta gjatë sezonit të shirave, i cili zgjat nga qershori deri në gusht, duke kontribuar në paparashikueshmërinë dhe rrezikun e ngjarjeve të tilla.