RMV, vonesat në të folur te fëmijët
Një target grup tepër i ekspozuar ndaj problemeve të gjuhës dhe komunikimit janë fëmijët. Situata të tilla tentojnë që të “izolojnë” fëmijën, me pasoja në marrëdhëniet shoqërore dhe çrregullime të mundshme emocionale dhe të sjelljes, përveç vështirësisë për të mësuar shkrim lexim.
Sipas logopedit, Muharrem Smaili, vitet e fundit dukshëm është rritur numri i fëmijëve me probleme në të folurit, ndërsa faktorët që ndikojnë në ngecjen e të folurit tek fëmijët ai thotë se janë disa, por faktori kryesor sipas tij është mungesa e komunikimit me prindërit.
“Në shumicën e rasteve në vendin tonë të dy prindërit punojnë me orar të plotë, ndërsa fëmijët pikërisht në moshën kur kanë nevojë më së shumti për prindërit, ata dërgohen në kopshte, gjë që shkakton ngecjen në të folurit e hershme tek fëmijët. Faktorë tjetër është qëndrimi i gjatë para smartfonëve apo ekraneve televizive, i cili shkakton bllokim të trurit të fëmijës pasi kohën të cilën fëmija duhet ta kalojë duke imagjinuar, duke krijuar lidhje të trurit me rrethinën ku rritet ndërpritet duke parë filma vizatimor të cilët nuk kanë asnjë vlerë për moshën e fëmijëve të vegjël”, shprehet Smaili për gazetën Koha.
Sipas tij, në rastet kur fëmija shfaq probleme të tilla duhet të merren këshilla nga terapistët e zhvillimit në mënyrë që problemet e fëmijës mos të bëhen më të mëdha për shkak që siç thotë ai, më pas është shumë më e vështirë për t’u përmirësuar në aspektin e zhvillimit gjuhësorë.
“Nga mosha dy vjet e gjysmë, nëse prindërit vërejnë se fëmija i tyre ka ngecje në të folurit, ata duhet të këshillohen me logopedin dhe të bashkëpunojnë për një arritje më të suksesshme. Sa më herët që fillon trajtimi i problematikës aq më shpejtë mund të shihen rezultatet, dhe sa më vonë që e marrim seriozisht rezultatet mund të zbehen”, sqaron Smaili.
“Mos i leni fëmijët para ekraneve, merruni personalisht me fëmijët pasi terapia më e mirë për fëmijët e vegjël janë prindërit, ata kanë nevojë për prindërit që të zhvillohen në mënyrë tipike. Mos ua rrëmbeni imagjinatën dhe fantazinë”, apelon ai.