Rinumërimi i votave në Kosovë përmbyllet javën e ardhshme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka paralajmëruar se procesi i rinumërimit të plotë të të gjitha vendvotimeve, 2.557 sosh, të përmbyllet gjatë javës së ardhshme.
Përfundimi i këtij procesi, të nisur më 13 janar, sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, do t’i hapte rrugën KQZ-së për të shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat u mbajtën më 28 dhjetor 2025.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke u përpjekur maksimalisht që të përmbyllë në një kohë sa më të shpejtë rinumërimin e të gjitha vendvotimeve të mbetura, në mënyrë që të procedojë me shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës. KQZ-ja planifikon që procesi i rinumërimit të të gjitha vendvotimeve të përmbyllet gjatë javës në vazhdim”, tha Elezi.
Më tej, ai ka shpjeguar se pavarësisht se procesi i rinumërimit i heq dilemat lidhur me rezultatet dhe mund të zvogëlojë nevojën për ankesa, megjithatë, kjo është një e drejtë e subjekteve politike dhe kandidatëve, andaj KQZ-ja do të presë paraqitjen dhe shqyrtimin e tyre para se të përmbyllë të gjithë procesin zgjedhor.
Shpallja e rezultateve ishte planifikuar të bëhej deri më 19 janar, megjithatë, KQZ-ja vendosi për rinumërim pas një verifikimi të kryerr në 33 vendvtime, ku rezultoi se votat e kandidatëve të numëruara në Qendrat Komunale të Numërimit nuk pasqyronin saktë votat në fletëvotime.
Sipas KQZ-së, meqenëse kemi të bëjmë me një proces që përfshin të gjitha vendvotime, rezultati që do të vlejë në shpalljen e rezultateve përfundimtare do të jetë ai që do të dalë nga procesi i rinumërimit dhe jo nga numërimi në Qendrat Komunale të Numërimit.



