Rexha i regjur nga dielli i vendlindjes
Shkruan: Iljasa Salihu
Pleqtë që jetuan në bashkësi, po vdesin në vetmi! Pleqtë që shtëpitë e pleqëve kur ishin të rinj i shihnin si shtëpi të të pafeve, sot i shohin si domosdoshmëri! Rinia për një jetë më të mirë, po detyrohet t’i lë në vetmi ata që i sollën në jetë, por që me gjithë përpjekjet e tyre nuk arritën fëmijëve të tyre t’ia bënin jetën më të mirë, mbase nuk arritën as t’i edukonin mjaftueshëm, saqë t’i bindnin se megjithatë vdekja në vetmi e prindërve është lemeri e shkuar lemeri. Ndonëse, fëmijët të vetëdijshëm për kthesat e tyre, mundohen përmes angazhimit të ndonjë punëtori t’i gjenden në ndihmë prindërve, por e keqja është se numri i pleqve nevojtarë është shumë më i madh se kujdestarët që mund të gjenden, ngaqë kujdestarët të rënë pre në kurthin e trendit të migrimit, vlerësojnë se shumë më llogari kanë të përkujdesen për pleqtë gjermanë sesa për pleqtë që i sollën ata në jetë!
Regjisori i mirënjohur, Ibër Dehari përmes filmit të fundit, “Krejt e thirrin Rexhën”, përmes mëlmesave komike në formën pamore na ofroi lëngatën e kurbetit, që së fundmi ka marr përmasa pandemike, që edhe parashikuesit më të rryer një gjë të tillë nuk kishin mundur ta parashikonin. Edhe pse gjithmonë ka pasur dhe do të ketë dyndje, ikje e zhvendosje të njerëzve dhe të popullsive për në vende më të zhvilluara, por në përmasa të këtilla asnjëherë. Fundja, nëse dikur ka migruar një apo dy vëllezër, njëri ka qëndruar në vendlindje dhe pavarësisht jetesës herë të vështirë e herë më të lehtë, prindërit kanë vdekur nëpër shtëpitë e tyre, pranë krahut përulës dhe varrimin ia kanë bërë me të gjitha traditat e mirë të trashëguara brez pas brezi. Në këtë film, pamë se tregti bëjnë edhe varrmihësit, ngaqë mungojnë të afërmit për një punë dhe nder të tillë, kurse aty ku mungojnë më të afërmit, nuk mungojnë pazaret dhe pandjeshmëritë. Protagonistin të gjithë e thërrasin dhe të gjithë e lusin, ngaqë ai është për gjithçka dhe asnjërën punë nuk e kryen plotësisht si duhet, madje edhe gruaja e tij Hira ankohet prej tij, e cila paraqet sinonimit e grave shqiptare, që për hir të qëndrimit dhe vendosjes së burrit, detyrohet ta jetojë një jetë jo të lehtë, madje nga Rexha ankohet edhe vetë Rexha, por sërish ngelet i duhuri, ngaqë rinia për një jetë më të mirë është në gjendje të dërgon para të majme në vendlindje, por jo edhe të vendosë të kthehet në atdhe. E kam fjalën për brezin që tani ka migruar, që është në gjendje të dërgon këso parash, sepse brezi pas këtij brezi ndoshta ndonjëherë do të kujtohet për prejardhjen e tyre dhe kaq, as para dhe as veten nuk do ta sjellin për pushime në atdhe, sepse nuk do t’i bëj përshtypje toka e shkretuar me njerëz të regjur nga dielli i fuqishëm i atdheut. Rexha ia ka frikën vetëm të fortëve të Sllupkovës, të cilët këtë zbarsje e shfrytëzojnë për punë të zeza, qoftë edhe duke shitur djathë të bardhë të Sllupkovës, argument ky që lehtas mund ta shohim edhe jashtë këtij filmi, ku shumë të rinj në pamundësi të përballen me këtë shpurë dhe shpurën tjetër të politikanëve të korruptuar, më lehtë vendosin të përballen me dhimbjen e ikjes, pra meqë nuk po mund t’i heqin nga skena këta të babëzitur, po e heqin veten nga atdheu me gjithë pasojat e rënda shoqëruese. Ajo që nuk më pëlqeu në këtë film të mirë dhe me domethënie të thellë, është përdorimi i shpeshtë i sharjeve me fjalë të ndyta, përngjasim ky i panevojshëm nga popujt fqinjë, ngaqë deri vonë jemi shquar për fjalor të pastër dhe se edhe përmes këtij fjalori të pastër kemi mundur të bëjmë art të mirë, përmes të cilit e kemi kërkuar të bukurën dhe të madhërishmen, sepse unë mendoj se duke e përngjasur vesin nuk mund ta luftojmë vesin, përkundrazi, shaj ne në jetën e përditshme, shaj aktorët nëpër filma duke e përngjasur një pjesë të njerëzve, sharjen vetëm se do ta rrisim dhe për fat të keq do ta normalizojmë! Megjithatë, kjo ishte vërejtja ime dhe për pjesët tjera i lumtë autorit, aktorëve dhe gjithë ekipit të këtij filmi për përçimin e një fotografie që të bën të mendosh thellë, ngaqë bëhet fjalë për diçka që të gjithë e dimë, por pak e mendojmë, kurse përmes këtij filmi ngacmojmë të menduarin, që nëse nuk mendojmë do të pësojmë keq, mbase vetëm se jemi duke i parë tashmë pasojat.