“Reuters”: Trumpi mund të kërkojë marrëveshje të thjeshtëzuar për mineralet e Ukrainës

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, mund të synojë që të arrijë një marrëveshje të thjeshtëzuar për minerale me Ukrainën që të sigurojë një pakt shpejt dhe më pas të negociojë rreth kushteve të hollësishme, si sasia e burimeve të Ukrainës të cilat do t’i posedonte ShBA-ja, i kanë thënë agjencisë së lajmeve “Reuters” dy persona me njohuri rreth çështjes.
Kjo vjen pas refuzimit nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, të një propozimi të hollësishëm të ShBA-së javën e kaluar, me të cilin Uashingtoni do të merrte 50 për qind të mineraleve kritike të Ukrainës, përfshirë grafitin, uraniumin, titanin dhe litiumin, ky i fundit përbërës kyç në bateritë e automjeteve me rrymë, raporton agjencia “Reuters”.
Burimet thanë se ky episod bëri të qartë se arritja e një marrëveshjeje të plotë do të marrë kohë. Sidoqoftë, presidenti Trump dëshiron që të arrihet një pakt me Ukrainën para se potencialisht të autorizojë më shumë mbështetje ushtarake amerikane për Kievin ose para se të lëvizë tutje me përpjekjen për të ndërmjetësuar në bisedimet e paqes mes Ukrainës e Rusisë për t’i dhënë fund luftës trevjeçare.
Emisari i Trumpit për Ukrainën, Keith Kellogg, ndodhet në Kiev këtë javë për t’i diskutuar parametrat e një pakti të rishikuar dhe për atë se çfarë i duhet Ukrainës në këmbim për ta nënshkruar marrëveshjen. Zelensky tha se do të takohet me emisarin amerikan të enjten dhe se “është jetike për ne që ky takim – dhe bashkëpunimi i përgjithshëm me Amerikën – të jenë konstruktivë”.
Kur u pyet nëse zyrtarët amerikanë do ta vazhdojnë ndjekjen e një marrëveshjeje, një këshilltar i Trumpit, duke folur në kushte anonimiteti, për Zelenskyn tha: “Absolutisht, duhet ta kthejmë këtë djalë në realitet.”
Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Është e paqartë gjerësia në të cilën ishte hartuar propozimi fillestar i ShBA-së si dëmshpërblim për dërgesat e kaluara të armëve ose për veprimet e ardhshme, por Zelensky ka thënë se propozimi ishte tepër i përqendruar në interesat e Shteteve të Bashkuara dhe i mungonin garancitë e sigurisë për Ukrainën.
Një burim tjetër, i afërt me çështjen, tha se Ukraina është e gatshme për të bërë një marrëveshje me administratën e Trumpit. Një burim tjetër gjithashtu tha se Kievi është i gatshëm për të bërë një pakt, por se ai nuk duhet të duket aq “grabitqar” sa propozimi i parë i Uashingtonit.