Repart Steriliteti për herë të parë pritet të hapet në Spitalin Gjinekologjik në Çair

Spitali gjinekologjik në Çair pritet t’i nënshtrohet një sërë rikonstruimesh periudhën që vijon. Përveç ndërtimit të amfiteatrit dhe bibliotekës për specializantët, gjinekologjisë do t’i shtohet edhe një ordinancë me qëllim për të shkurtuar kohën e pritjes për pacientët. Drejtoresha, Pranvera Izairi tha se për herë të parë në këtë spital do të hapet Reparti i Sterilitetit për të cilin procedurat tashmë janë drejt fundit.
“Kemi premtime nga një organizatë e jashtme të cilës nuk dua ta zbuloj emrin për shkaqe objektive sepse ende nuk është kryer procedura administrative me atë organizatë. Ajo do të investoj në rikonstruimin e spitalit dhe në pajisjet të cilat do na duhen për Repartin e Sterilitetit. Fillimisht do të fillojmë me metodat ndihmëse për shtatzëni, gjegjësisht me inseminim por me tendencë që më tutje të vazhdojmë edhe me procedurat invitro fertilizimit”, tha Pranvera Izairi, drejtore e Spitalit Gjinekologjik Çair.
Përveç lindjeve, në këtë spital janë kryer edhe mjaft aborte por që fatmirësisht në numër më të vogël kundrejt viteve paraprake. Drejtoresha Izairi tha se vitin e kaluar numri i aborteve është ulur për 30%.
“Numri i aborteve është në rënie, po rritet vetëdija tek popullata e vendit tonë për përgjegjësinë e shtatzënisë, gjegjësisht ka një tren rëni. Vitin e kaluar kishim gati se 30 % rënie të aborteve që nënat e zgjedhin për ndërprerje të shtatzënisë. Është ngritur vetëdija dhe ato po përdorin më tepër metodat kontraceptive se sa që bëjnë zgjedhjen e ndërprerjes së shtatzënisë në mënyrë artificiale”, shtoi Pranvera Izairi, drejtore e Spitalit Gjinekologjik Çair.
Gjatë vitit 2024 në Spitalin Gjinekologjik në Çair janë kryer mbi 3.600 lindje dhe po aq ndërhyrje kirurgjikale dhe intervenime të tjera më të vogla./Alsat.mk