Reklamat e zgjedhjeve në internet do të ndahen mes 249 portaleve

249 portale në internet, 37 televizione, 35 radio dhe 11 media të shkruara do të mund të publikojnë reklama politike për fushatën zgjedhore. Këtë vendim Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) e ka marrë më 29 shkurt në seancën e 84-të.

Me miratimin e Regjistrit të transmetuesve, mediave të shkruara dhe mediave elektronike (portalet e internetit), hapet hapësira për reklamim zgjedhor në zgjedhjet e dyfishta (presidenciale dhe parlamentare) që rregullohet nga KSHZ-ja.

Sipas të dhënave të KSHZ-së, për reklama politike të paguara për zgjedhjet e dyfishta janë planifikuar 656 milionë denarë ose më shumë se 10.614.000 euro.

KSHZ-ja njoftoi se Regjistri i mediave që do të bëjnë reklama politike me pagesë dhe çmimoret do të jenë të disponueshme në ueb faqen e Komisionit Shtetëror Zgjedhor.

KSHZ ka pranuar gjithsej 333 kërkesa për reklama politike me pagesë për zgjedhjet presidenciale, nga të cilat KSHZ ka miratuar reklamat për 37 televizione, 35 radio, 11 media të shkruara dhe 249 portale.

Gjithsej tetë persona juridikë me 10 portale, një podcast dhe një stacion radioje u refuzuan për gjoja mosplotësim të kërkesave ligjore për regjistrimin e mediave për reklama politike me pagesë.

Kundër vendimeve për refuzimin e mediave që nuk i plotësojnë kushtet për regjistrim për reklamim politik me pagesë, pala e pakënaqur ka të drejtë të paraqesë padi në Gjykatën Administrative të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në afat prej 24 orëve nga pranimi i vendimit.

Fushata zgjedhore për zgjedhjet presidenciale të planifikuara për më 24 prill të këtij viti, fillon më 4 prill në ora 00:00 dhe do të zgjasë deri në orën 24:00 të datës 22 prill, ndërsa fushata për zgjedhjet parlamentare, të cilat duhet të mbahen më 8 maj. të jetë nga 18 prilli deri më 6 maj.

Zgjedhjet e dyfishta që do të mbahen në prill dhe maj do t’i kushtojnë shtetit gati 17 milionë euro.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button