Real Madridi triumfon ndaj Valencias, fiton 2-0 dhe mbetet në garë për titullin

Real Madridi arriti një fitore të rëndësishme ndaj Valencias në kuadër të javës së 23-të të La Ligës, duke e mposhtur ekipin vendas me rezultat 2-0, me efikasitetin e tyre që u shfaq në pjesën e dytë.
“Los Blancos” nisën ndeshjen me një qetësi të dukshme dhe dominuan lojën, duke krijuar mundësitë më të mira për gol. Megjithatë, në minutën e 19-të, Kylian Mbappe u përball me një pritje të shkëlqyer nga portieri Stole Dimitrievski.
Pjesa e parë u mbyll pa gola, por Real Madridi e rriti intensitetin pas pushimit. Epërsia erdhi në minutën e 65-të, kur Alvaro Carreras realizoi një gol të bukur pas një aksioni individual, duke goditur saktë pranë shtyllës së majtë.
Valencia pati rast të artë për barazim në minutën e 71-të, por Lucas Beltran, pasi shmangu portierin, goditi shtyllën dhe humbi një mundësi të jashtëzakonshme.
Në minutat shtesë, Real Madridi e vulosi fitoren, kur Brahim Diaz asistoi për Kylian Mbappe, i cili përfitoi nga porta e zbrazët për të shënuar golin e dytë dhe për të mbyllur ndeshjen me rezultat 2-0 .
Me këtë fitore, Real Madridi mbetet në vendin e dytë në renditjen e La Ligës me 57 pikë, vetëm një pikë më pak se lideri Barcelona, duke vazhduar garën e fortë për titullin kampion.



