Real Madrid nuk heq dorë nga Rodri, por në listën e dëshirave është dhe Barella

Pas afrimeve të Alexander-Arnold, Carreras, Huijsen dhe Mastantuono, Real Madrid konsideron se merkatoja e verës është pothuajse e mbyllur. Gjigandët spanjollë janë tani në pritje të mundshmeve largimeve, si ato të David Alaba apo Rodrygo, për të vendosur nëse do të ndërhyjnë sërish në merkato.
Objektivi i fundit i klubit “merengues” është të sigurojë një mesfushor të nivelit të lartë, që mund të zëvendësojë me një vit vonesë Toni Kroos, i cili u tërhoq nga futbolli pas “Euro 2024”. Në këtë kontekst, Rodri i Manchester City-t është një nga emrat që është rikthyer fuqishëm në radarin e madrilenëve.
Real Madrid ka fuqinë ekonomike për të përballuar edhe një tjetër transferim të madh dhe mund të bëjë një lëvizje në këtë drejtim nëse Rodrygo largohet, duke sjellë në arkat e klubit një shumë prej 80 deri në 100 milionë euro. Profili i kërkuar nga drejtuesit madrilenë është ai i një mesfushori të afirmuar, me përvojë ndërkombëtare dhe personalitet, në gjendje të marrë përsipër detyrat e një lojtari si Kroos.
Sipas asaj që raporton gazeta AS, në listën e alternativave përveç Rodri-t janë edhe tre emra të tjerë shumë të njohur:
Nicolò Barella (Inter)
Enzo Fernández (Chelsea)
Alexis Mac Allister (Liverpool)
Të gjithë janë lojtarë kyç për ekipet e tyre respektive, me kontrata afatgjata dhe vështirë për t’u transferuar, një gjë që i bën negociatat të komplikuara dhe operacionet potencialisht shumë të kushtueshme.