Rasti Soravia me nipin e Ali Ahmetit ende nën procedurë parahetimore

Rasti i procesit të diskutueshëm të ndryshimit të strukturës pronësore të qendrës tregtare “Soravia” në qendër të Shkupit, në të cilin u përfshi Drin Ahmeti, nipi i liderit të BDI-së Ali Ahmeti, është ende në procedurë parahetimore.
Nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit dhe Korrupsionit të Organizuar thonë për Alsat se provat janë ende duke u mbledhur, por pritet ndihmë juridike ndërkombëtare nga Shtetet e Bashkuara në mënyrë që rasti të hyjë në një fazë më të avancuar.
“Lidhur me procedurën e procedurës paraprake që lidhet me qendrën e biznesit “Soravia”, ju njoftojmë se rasti është në procedurë parahetimore, në të përveç Prokurorisë Publike, aktualisht po veprojnë edhe institucione të tjera përkatëse, dhe njëkohësisht pritet procedura për ndihmë juridike ndërkombëtare të institucioneve amerikane”, tha PTHP NKOK.
Rasti u bë publik në mes të vitit 2023, pasi nipi i Ali Ahmetit u bë pronar i qendrës tregtare Soravia në zemër të Shkupit me 39 për qind të aksioneve në strukturën e pronësisë. Drin Ahmeti hyri në strukturën e pronësisë së kësaj qendre tregtare përmes kompanisë “Tor Industries”, të cilën Ahmeti i ri e udhëhoqi deri në mesin e vitit të kaluar, kur, nën presionin e publikut, ai u tërhoq nga funksioni drejtues i kompanisë.
Drin Ahmeti më pas njoftoi se kompania Tor Industries do të merrej nga Texas American International Holdings, e biznesmenit Nick Nazar Mehmedi nga Shtetet e Bashkuara. Në atë kohë, u raportua gjithashtu se kompanive të Ahmetit Tor Industries dhe Soravia Invest u janë bllokuar xhiro llogaritë e tyre, por për këtë nuk ka asnjë konfirmim zyrtar. Ndërkohë, vitin e kaluar, menjëherë pas ndryshimit kontrovers të pronarëve, qendra e biznesit Soravia u nxor në shitje nga një përmbarues për shumën mbi 930 mijë euro dhe subjekti juridik “Soravia Invest” falimentoi.
Jozyrtarisht, Drin Ahmeti iku në Shtetet e Bashkuara menjëherë pas ndërrimit të pushtetit në Maqedoni./ Alsat.mk



