Rasti Koçani: Gjykata ua vazhdoi masën e paraburgimit 10 personave, për 6 të tjerë ende pritet vendimi, të dyshuar gjithsej 18

Gjykata Themelore në Koçan deri më tani ka marrë vendime për vazhdimin e masës së paraburgimit prej 48 orësh për dhjetë persona në rastin e zjarrit në diskotekën “Pulse”, ndërsa për gjashtë të tjerët ende pritet vendim. Sipas informacioneve të MIA-së, ende nuk është marrë vendim për vazhdimin e paraburgimit të ish-ministrit të Ekonomisë Kreshnik Bekteshi.
Prokuroria themelore publike në Koçan praprakisht sot njoftoi se ka dorëzuar propozime në gjykatën kompetente për vazhdimin e masës së paraburgimit për 48 orë të tjera për 16 personat e deritanishëm të përfshirë në procedurë, të cilëve kjo masë u skadon gjatë ditës.
“Me propozim të prokurorisë ditën e djeshme është caktuar masa e paraburgimit për dy persona të tjerë dhe vijon ende. Në total deri në këtë pikë është kërkuar masa e ndalimit afatshkurtër për 18 persona”, thanë nga Prokuroria.
Në mesin e të arrestuarve është edhe ish-ministri i Ekonomisë Kreshnik Bektesi, ish-drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut Goran Trajkovski.
Bekteshi, Trajkovski dhe një person tjetër fillimisht u sollën para gjykatës në Koçan. Pas marrjes në pyetje ata u dërguan në Burgun e Paraburgimit Shkup. Të tjerët janë në repartin e paraburgimit në burgun e Kumanovës.
Paraprakisht është marrë në pyetje edhe kryetari i Komunës së Koçanit, Ljupço Papazov, i cili siç ka njoftuar Prokuroria do të merret vendim për statusin e tij të mëtutjeshëm në procedurë.
Kryeprokurori Ljupço Kocevski ditë më parë bëri me dije se ata dyshohen për “krime të rënda kundër sigurisë së përgjithshme” nga neni 292 i Kodit Penal me dënim me burg prej të paktën tre vjet pa kufi të sipërm, i cili mund të shkojë deri në 20 vjet. Njëkohësisht ai tha se po hetohen aktet e marrjes dhe dhënies së ryshfetit si dhe prokurimi i paligjshëm i mjeteve piroteknike.
Ndryshe, në zjarrin që ndodhi më 16 mars në një lokal nate në Koçani, kanë humbur jetën 59 persona, ndërsa kishte 196 të lënduar që trajtohen brenda dhe jashtë vendit.
Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.