Raportohet se mbi 42 mijë ushtarë rusë janë vrarë në luftën në Ukrainë

Të paktën 42.284 pjesëtarë të ushtrisë ruse janë vrarë prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022, sipas hulumtimeve të gazetarëve prej Mediazona dhe transmetuesit britanik BBC, të cilët kanë verifikuar identitetet e ushtarëve të vrarë.

Në këtë shifër përfshihen 5.089 ushtarë të mobilizuar dhe 7.810 të burgosur, të rekrutuar prej burgjeve ruse, kanë thënë këto dy organizata mediale.

Gazetarët kanë thënë se prej totalit të të vdekurve, 3.053 kanë qenë oficerë dhe 349 kanë pasur gradën e nënkolonelit e më lart.

Gazetarët i kanë bazuar hulumtimet e tyre në të dhënat prej burimeve të hapura, përfshirë njoftimet për vdekje në media, apo mesazhet e publikuara në rrjetet sociale prej familjarëve të viktimave.

Ministria ruse e Mbrojtjes nuk i ka përditësuar të dhënat e të vdekurve në luftë dhe nuk i ka komentuar të dhënat e publikuara prej gazetarëve.

Më herët gjatë këtij muaji, faqja ruse Important Stories, ka gjetur se prej nisjes së vitit 2022, Fondi Pensional i Federatës Ruse, ua ka ndaluar punëtorëve të degëve të tij që të publikojnë të dhëna për personat e përfshirë në luftën kundër Ukrainës, pasi të dhëna të tilla mund të kalkulohen për t’i regjistruar ushtarët e vdekur rusë.

Në prill të vitit të kaluar, platforma e njëjtë ka thënë se Ministria ruse e Mbrojtjes, nuk është duke publikuar informacion për ish-ushtarët që kanë mbetur me nevoja të veçanta, dhe as për vejushat apo jetimët, që kishin familjarët në luftë, për arsye të njëjta./REL

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button