Raport: Rreth 75 për qind e palestinezëve të rrëmbyer nga Izraeli në Gaza janë civilë

Të dhënat e klasifikuara të ushtrisë izraelite tregojnë se vetëm një në katër palestinezë të arrestuar nga Gaza identifikohet si luftëtar, duke zbuluar shkallën masive të burgosjes së civilëve nën luftën e vazhdueshme të Izraelit në Gaza.
Gjetjet, të zbuluara nga The Guardian, +972 Magazine dhe Local Call, tregojnë se deri në maj, Izraeli kishte arrestuar mbi 6,000 palestinezë sipas ligjit të tij për “luftëtarët e paligjshëm”, që lejon mbajtjen e tyre në paraburgim pa akuza ose gjykim për një kohë të pacaktuar.
Shumica e të burgosurve pa akuza ose gjykim janë civilë, përfshirë mjekë, mësues, shkrimtarë, punonjës të administratës shtetërore, fëmijë dhe persona me sëmundje kronike ose aftësi të kufizuara.
Ndër rastet më tronditëse është një grua 82-vjeçare me Alzheimer që u burgos për gjashtë javë. Në një tjetër rast, një nënë beqare u nda nga fëmijët e saj për 53 ditë, për t’i gjetur më pas duke lypur në rrugë kur u lirua.
Një ushtar që shërbeu në bazën famëkeqe ushtarake Sde Teiman, ku kanë ndodhur tortura dhe përdhunime ndaj të burgosurve palestinezë, tha se aty mbaheshin aq shumë të moshuar, të paaftë dhe të sëmurë sa që u grumbulluan në një hangar të quajtur “qelia geriatrike”.
Organizata e Kombeve të Bashkuara ka cilësuar trajtimin e palestinezëve të mbajtur në këto kampe nga Izraeli si “të papranueshëm”.