Raport: Izraeli dhe Sudani i Jugut në bisedime për transferimin e detyruar të palestinezëve

Izraeli po zhvillon bisedime me Sudanin e Jugut për zhvendosjen e detyruar të palestinezëve nga Gaza në këtë vend të Afrikës Lindore, sipas gjashtë personave të njohur me çështjen që folën për Associated Press.
Propozimi është pjesë e një përpjekjeje izraelite për të zhvendosur palestinezët nga Gaza – një veprim që, sipas organizatave për të drejtat e njeriut, do të përbënte dëbim të detyruar, spastrim etnik dhe shkelje të ligjit ndërkombëtar.
Kritikët e këtij plani frikësohen se palestinezëve nuk do t’u lejohet kurrë të kthehen në Gaza dhe se një largim masiv mund t’i hapte rrugë Izraelit për të aneksuar enklavën dhe për të rindërtuar vendbanimet izraelite atje, siç kanë kërkuar ministrat e ekstremit të djathtë në qeverinë izraelite.
Sudani i Jugut ka pasur vështirësi të rikuperohet nga një luftë civile që shpërtheu pak pas pavarësisë në vitin 2011, ku u vranë gati 400,000 njerëz dhe zona të tëra të vendit u përballën me urinë. Ai tashmë strehon një popullsi të madhe refugjatësh nga konfliktet e vendeve fqinje.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka thënë më parë se dëshiron të avancojë atë që e quan “migrim vullnetar” për pjesën më të madhe të popullsisë së Gazës – një politikë që ai e ka lidhur me deklaratat e mëhershme të presidentit amerikan Donald Trump.
“Mendoj se gjëja e duhur për të bërë, edhe sipas ligjeve të luftës ashtu siç i njoh unë, është të lejohet popullsia të largohet dhe pastaj të hysh me të gjithë fuqinë kundër armikut që mbetet aty,” tha Netanyahu të martën në një intervistë për televizionin izraelit i24. Ai nuk e përmendi Sudanin e Jugut.
Associated Press raportoi se Izraeli dhe SHBA-ja kanë hedhur ide të ngjashme edhe me Sudanin, Somalinë dhe rajonin separatist të Somalilendit.
Egjipti, që kufizohet me Gazën, është shprehur fuqishëm kundër çdo transferimi të detyruar të palestinezëve jashtë enklavës, duke u shqetësuar për një fluks refugjatësh në territorin e tij.
Lideri i shoqërisë civile në Sudanin e Jugut, Edmund Yakani, i tha AP-së se vendi “nuk duhet të bëhet vend-shkarkim për njerëz… dhe nuk duhet të pranojë të marrë njerëz si monedhë negociatash për të përmirësuar marrëdhëniet”.
Joe Szlavik, themelues i një firme lobuese amerikane që punon me Sudanin e Jugut, tha se ishte informuar nga zyrtarë të këtij vendi mbi bisedimet.
Sipas Szlavik, Sudani i Jugut dëshiron që administrata Trump të heqë ndalimin e udhëtimit dhe të largojë sanksionet ndaj disa elitave të vendit, duke sugjeruar se SHBA-ja mund të jetë e përfshirë në çdo marrëveshje mbi zhvendosjen e detyruar të palestinezëve.
Peter Martell, gazetar dhe autor i librit First Raise a Flag, tha se “Sudani i Jugut, i mbetur pa para, ka nevojë për çdo aleat, përfitim financiar dhe siguri diplomatike që mund të marrë”.
Administrata Trump më parë ka ushtruar presion mbi disa vende për të pranuar deportime, dhe Sudani i Jugut tashmë ka pranuar tetë individë të dëbuar nga SHBA-ja në kuadër të politikës së saj të deportimeve masive. /Al Jazeera/