Raport: Firma konsulente amerikane ndihmoi në modelimin e dëbimit të palestinezëve nga Gaza drejt vendeve afrikane

Firma amerikane Boston Consulting Group (BCG) ndihmoi në modelimin e planeve për një dëbim të mundshëm të palestinezëve nga Gaza drejt vendeve afrikane si Somalia dhe Somaliland, sipas një raporti të gazetës britanike Financial Times.
Gazeta raportoi se BCG ndihmoi në modelimin e këtij plani si pjesë e një projekti për planifikimin pas luftës të porositur nga biznesmenë izraelitë. Plani përfshinte dëbimin e qindra mijëra palestinezëve nga Gaza në vende si Somalia, rajoni i shkëputur i Somalilandit, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipti dhe Jordania.
Financial Times e kishte raportuar për herë të parë muajin e kaluar për përfshirjen e BCG-së në këto përpjekje. Kompania BCG më pas u distancua nga projekti dhe tha se personit përgjegjës për këtë punë i ishte ndaluar të vazhdonte.
Agjencia Associated Press raportoi gjithashtu në mars se SHBA dhe Izraeli kishin diskutuar për dëbimin e palestinezëve nga Gaza në Sudan, Somali dhe Somaliland.
Ekspertët kanë deklaruar se dëbimi i palestinezëve nga Gaza – i cili është kërkuar vazhdimisht nga zyrtarët izraelitë – do të përbënte akt të pastrimit etnik dhe, me shumë gjasa, krim lufte. /Al Jazeera/