“Rama u shndërrua në argat të Vuçiqit”, Sali Berisha: I kanë mbetur në gojë zhabat

Kreu demokrat në Shqipëri, Sali Berisha, ka akuzuar sërish kryeministrin atje, Edi Ramën se është shndërruar në argat të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Ai po ashtu tha se Rama nuk ka asnjë arritje në 12 vite qeverisje.
“Ne paraqesim një projekt, në pamje të parë, i largët pak, Shqipëria Madhështore. Por ne paraqesim një projekt që është absolutisht ëndrra më e bukur, e ditës dhe jo e natës, e çdo shqiptari, e çdo atdhetari, e çdo njeriu punëtor, e çdo njeriu të lirë, e çdo njeriu me dinjitet. Çfarë paraqet pala tjetër? Paraqet hardhucë, zhapikë, bretkosa, zhaba dhe tani së fundmi i ka ngelur në gojë Kujtimi, jepja ato mustaqe se çmendet pas tyre. Kujtim, se unë e ti e njohim atë nga ana psikologjike, ia di ti arsyen pse e ka atë ai. Por kjo nuk është punë e kësaj mbledhje. Pra, një njeri që ka qeverisur 12 vite dhe nuk u thotë dot shqiptarëve, nuk u tregon dot shqiptarëve një arritje? A mundet kështu? Nuk u tregon dot sepse ato arritje që numërohen me gishtat e dorës, janë të nxira nga vjedhjet e tmerrshme”.
“Nuk përmend dot suksese sepse ka mashtruar për çdo gjë shqiptarët. Se u thoshte ujë 24 orë, dhe tani ujë më keq se kurrë. Se u thoshte pensionet, rrogat, dhe tani në qoftë se rritet pensioni minimal aq, Shqipëria bie në katastrofë. Nuk përmend TVSH-në e ushqimeve që do ulte, paçka se çmimet kanë shkuar në stratosferë. Nuk përmend dot asgjë, asnjë premtim, sepse të gjitha janë mashtrime. Por mbi të gjitha, forcat tona politike janë forca të interesit kombëtar. Ne së bashku përfaqësojmë interesin kombëtar të shqiptarëve. Çfarë përfaqëson ai? Ai përfaqëson një nga armiqtë më të egër të kombit në të gjitha kohërat. Ai përfaqëson njeriun që në 12 vite qeverisje, përzuri nga Shqipëria 45 për qind të shqiptarëve. Ndaj dhe u etiketua si Pashiqi i Tiranës”.
Berisha nuk harroi ta etiketojë kryeministrin edhe si argat të presidentit serb dhe bëri thirrje për të shpëtuar Shqipërinë nga rreziku antikombëtar.
“Ai përfaqëson njeriun e parë në Europë që i vuri sanksione shtetit të pavarur të Kosovës për llogari të Beogradit. Miq, kush ka lexuar histori, do gjejë se Enver Hoxha i shkruante Stalinit: Shoku Stalin, Kosovën e lamë me Jugosllavinë se më e sigurt me Jugosllavinë. Mendja na thotë se vepruam drejt. Edi Rama, Kosovën e la me Vuçiçin. Edi Rama u shndërrua në argat të Vuçiçit. Dy ditë më parë, Departamenti i Shtetit, sekretari Marco Rubio dënoi Dodikun. Edi Rama hesht si fija e barit për aktet e tij destabilizuese. Pra kemi të bëjmë në këtë aspekt, shpëtimin e Shqipërisë nga një rrezik madhor antikombëtar që rrallë e ka pasur në histori, siç është Edi Rama”.