Rama: Shqipëria do bëhet lider energjetik në rajon deri në 2030-n

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar në Samitin Botëror të Veprimit për Klimën COP 28 se Shqipëria synon të bëhet lider energjetik në rajon dhe eksportues energjie deri në vitin 2030.

Në ditën e dytë të Samitit, i cili këtë vit po mbahet në Emiratet e Bashkuara Arabe, Rama tregoi edhe rrezikun që bartet në këtë rast.

“…vendi ynë synon të bëhet lider energjetik në rajon dhe eksportues neto energjie deri ne 2030, por duhet ta dini që Shqipëria është një prej vendeve të rralla që nuk ka emetime të dioksidit të karbonit nga prodhimi i energjisë.

Sigurisht nga ana tjetër, përballet me një rrezik ekstrem hidrologjik  sepse ne varemi nga klima edhe pse tashmë jemi në një diversifikim në shkallë të plotë me energjinë e erës dhe diellit”, tha Rama.

Rama shpjegoi gjithashtu se Shqipëria ka ecur përpara me zbatimin e praktikave të zgjidhjeve bazuar në natyrë ndërsa nuk la pa ironizuar të gjithë ata që sipas Ramës “dhanë leksione gjatë gjithë kohës se sa e rëndësishme ishte të kishim një lumë të egër në Europë”.

“Shqipëria ka ecur përpara me zbatimin e praktikave të zgjidhjeve bazuar në natyrë gjatë viteve të fundit dhe këtë vit Vjosa, i pagëzuari lum i fundit i egër i Europës është shpallur Park Kombëtar në Shqipëri.

Ishte për të qeshur sidoqoftë, sepse më të mëdhenjtë e më të pasurit rreth nesh në Europë, që kanë zbutur të gjithë lumenjtë e tyre na dhanë leksione gjatë gjithë kohës se sa e rëndësishme ishte të kishim një lumë të egër në Europë, por s’ka rëndësi, të qeshësh është mirë dhe angazhimi ynë është i fortë dhe real ndaj ne e bëmë dhe jemi plotësisht të përkushtuar që të vazhdojmë kështu”, nënvizoi kryeministri Rama.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button