Rama në Samitin e Komunitetit Politik Evropian: Nga bashkëpunimi nuk ka humbës

Në Shqipëri po mbahet Samiti i Gjashtë i Komunitetit Politik Evropian me moton “Evropa e re në një botë të re”, duke mbledhur së bashku kryetarë shtetesh dhe qeverish si dhe përfaqësues të institucioneve kryesore ndërkombëtare, raporton Anadolu.
Turqia përfaqësohet në këtë samit nga presidenti Recep Tayyip Erdoğan, i cili mbajti një fjalë në një nga sesionet.
Në fjalën hapëse në sesionin e parë të samitit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u shpreh se nga bashkëpunimi nuk ka humbës.
Rama theksoi se për vizionarët e projektit evropian, “Turqia do të kishte qenë një partner i domosdoshëm në çdo bashkim paqeje të përhershme”, por sipas tij ai projekt “dështoi”.
“Është vërtet një nder i jashtëzakonshëm për të gjithë popullin shqiptar. Keni ardhur në një moment mjaft domethënës në këtë vend”, tha Rama duke iu drejtuar liderëve pjesëmarrës në samit.
Rama theksoi se Bashkimi Evropian i mësoi se edhe ish-armiqtë mund të bëheshin bashkë, sipas tij “edhe pse me plagë të hapura nga lufta dhe të krijonin një lidhje të përjetshme”.
“Nuk duhet të harrojmë Evropën e arsyes njerëzore dhe përpjekjes për një paqe të përhershme jo vetëm mes vetes, por edhe me armiqtë tanë. Evropa për ne është një vend po kaq i bashkëndarë shpirtëror siç është një mozaik rajonesh, gjuhës e besimesh të ndryshme fetare”, tha ai.
Rama shtoi se beteja e tyre duhet të jetë diçka që lidhet me atë se çfarë mund të bëjnë për veten, fëmijët dhe për Evropën.
Në samit marrin pjesë liderët e vendeve anëtarë të BE-së, vendeve të rajonit, si të Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë, Bosnjë e Hercegovinës dhe vendeve të tjera evropiane, si dhe udhëheqës të institucioneve të BE-së dhe përfaqësues të NATO-s, OSBE-së dhe Këshillit të Evropës.
Në përfundim të punimeve të samitit do të mbahet një konferencë për media nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, vendi i së cilës do të presë vitin e ardhshëm Samitin e Komunitetit Politik Evropian.