Rama në Riad: Imagjinata dhe bukuria udhëheqin transformimin dhe inovacionin

Kryeministri Edi Rama ishte sot i ftuar në edicionin e 9-të të Future Investment Initiative, një prej forumeve më të rëndësishme globale për inovacionin, teknologjinë dhe investimet e qëndrueshme, që mbledh në Riad të Arabisë Saudite, liderë botërorë e sipërmarrës për të diskutuar mbi të ardhmen e ekonomisë globale.
Kryeministri vlerësoi praninë në këtë panel të presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, një person që, sipas tij, përfaqëson lëvizjen më të madhe njerëzore dhe që avokaton për Kupën e Botës të vitit 2034.
“Perandori i futbollit është këtu dhe është një prej shenjave mjaft domethënëse për të thënë se çfarë po ndodh në këtë vend. Kush do ta imagjinonte se në këtë vend të ndodhte ky takim i jashtëzakonshëm.
Të ishte këtu si një person që përfaqëson lëvizjen më të madhe njerëzore dhe që avokaton për Kupën e Botës së 2034-ës”, u shpreh Rama.
Rama shprehu bindjen e patundur që ka vende të mrekullueshme që mund të jenë të varfra, por nuk ka vende të shëmtuara që të jenë të begata e të pasura.
Sipas tij, “ka lidhje të drejtë mes bukurisë dhe begatisë së njerëzve dhe hapësirës ku jetojnë”.
“Besoj se nëse sot Mbretëria Saudite është një model, kjo lidhet shumë me vizionin pjesë e të cilit është bukuria, transformimi që është fizik, është i prekshëm dhe po tregon që gjithçka është e mundur.
Synimi për ta transformuar këtë shkretëtirë në Firence 2.0 është saktësisht vizioni”, shtoi Rama.
Ndërkohë, Rama tha se “ajo që po përjetojmë sot në Perëndim është inercia, jo imagjinata”.
“Ajo me të cilën ndeshemi në pjesën e Gjirit është imagjinata në vend të inercisë.
Imagjinata ushqehet nga inovacioni, nga nevoja për të shkuar më lart, për të bërë kapërcime mjaft të mëdha, por lidhet po kështu me bukurinë”, shtoi Rama.
Kryeministri theksoi se në rrugën nga aeroporti i Riadit pas mbërritjes mbrëmë në Arabinë Saudite e pa menjëherë se ka një energji ndryshe në këtë vend.
“Një kuptim ndryshe të hapësirës e bashkëjetesës. Vetëm duke parë skulpturat e gjelbra në të dyja anët e rrugëve e kupton këtë.
Njerëzit më kanë akuzuar kur isha kryetar bashkie dhe vendosa për lyerjen me ngjyra të pallateve, se kjo është fasadë.
Por u thashë: ‘Imagjinojeni një mëngjes njerëzit të dalin nga shtëpia pa u kujdesur për veten, se çfarë makthi do të ishte’”, tha Rama.
Sipas tij, “vende ku gjërat kanë shkuar mirë deri tani, po përballen me inercinë”.
“Ka ardhur koha që ne të jemi të përulur e të mësojmë nga Gianni Infantino.
Ai është europian, rrethohet nga forcat e vjetra tradicionale, por është tërë kohën me forcat e reja; tregon se ajo që ndodh në Europë mund të ndodh në Katar, Arabinë Saudite, Marok dhe në vendin më të paditur për futbollin që është SHBA”, shtoi Rama.



