Rama dhe Kurti bashkë në Vlorë, mbahet ceremonia shtetërore për Ditën e Pavarësisë

28 Nëntori, u përkujtua këtë vit me një ceremoni shtetërore në qytetin historik të Vlorës, ku u ngrit simbolikisht Flamuri Kombëtar, duke nderuar ngjarjen e rëndësishme të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912.

Të pranishëm në ceremoni ishin Presidenti i vendit Bajram Begaj, Kryeministri Edi Rama, si dhe Kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

Rama dhe Kurti u shfaqën krah njëri-tjetrit në 112-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.

Takimi mes tyre mori dhe vëmendje të shtuar për shkak të krisjes së marrëdhënieve mes dy liderëve kohët e fundit.

Ata janë parë në shoqërinë e njëri-tjetrit vetëm gjatë takimeve të shkurtra në margjinat e samiteve të ndryshme botërore ku marrin pjesë.

Në ceremoninë e mbajtur në Vlorë ishin të pranishëm edhe kryetarja e Parlamentit, Elisa Spiropali, kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha,dhe prefekti i Vlorës, Kristaq Kiço.

Zyrtarët e lartë të shtetit vendosën kurora me lule pranë Monumentit të Pavarësisë në Sheshin e Flamurit.

Në 112-vjetorin e pavarësisë, Vlora është veshur kuq e zi dhe qindra qytetarë, mes tyre shumë të ardhur nga Kosova, janë bërë pjesë e festës me veshje kombëtare.

Festime do të mbahen edhe në Tiranë e qytete të tjera të vendit. Në kryeqytet pritet të mbahet për herë të dytë Parada e Shqiptarëve, ku do të bëhen bashkë shqiptarë nga diaspora dhe vendet e rajonit.Euronews.al

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button