Racizmi dhe ksenofobia i largojnë punëtorët e huaj nga Gjermania

Menaxheri Joerg Engelmann, tha se ai po bën gjithçka për të tërhequr punëtorë të kualifikuar nga jashtë për t’i punësuar në kompaninë e tij të inxhinierisë kimike në Kemnic, në lindje të Gjermanisë. Por, disa prej tyre u larguan nga ky qytet, pasi u përballën me sharje racore dhe përjashtim nga shoqëria.
Kompania e tij është një prej pesë kompanive gjermane që i thanë agjencisë Reuters se stafi i tyre i huaj së fundi janë larguar ose kanë ndryshuar vendndodhje për shkak të ksenofobisë, edhe në kohën kur ekonomia më e madhe në Evropë përballet me mungesë të fuqisë së kualifikuar punëtore.
Shumë kompani të mëdha në Gjermani dhe Holandë kanë shprehur shqetësime lidhur me vështirësitë e punësimit për shkak të ndjenjës kundër migrantëve. Disa punëdhënës shkuan edhe një hap më tej, duke thënë se ata po humbin punëtorë për këtë shkak, shkruan rel.
CAC Engineering GmbH, kompani në pronësi të një familjeje që e udhëheq Engelmanni, ka humbur rreth pesë nga 40 punëtorët e huaj gjatë 12 muajve të fundit për shkak të diskriminimit, tha ai për Reuters. Kompania nuk pranoi të ofronte kontakte me punëtorët e saj të mëparshëm për agjencinë Reuters.
“Bëjmë çfarë të mundemi. Por, ne nuk mund të bëhemi truproje”, tha Engelmann, 57 vjeç. “Ka pjesë të popullatës që nuk e kuptojnë që këta janë punëtorë të huaj të kualifikuar që duan të japin kontribut të vërtetë në Gjermani”.
Kompania nuk dha më shumë detaje, por rastet e krimit të urrejtjes dhe ksenofobisë janë regjistruar në mbarë Gjermaninë dhe sipas Ministrisë së Brendshme, rastet janë trefishuar mes viteve 2013 dhe 2020, duke arritur në mbi 10.000.
Të dhënat zyrtare gjermane thonë se shteti si tërësi do të ketë një mungesë prej 7 milionë punëtorëve të kualifikuar deri në vitin 2035, krahasuar me fuqinë punëtore prej rreth 46 milionësh.
Klima është më e ashpër në lindje të Gjermanisë, ku pas rënies së komunizmit, mbylljet e fabrikave dhe largimet e punëtorëve nga puna shkaktuan një largim të të rinjve dhe rënies së natalitetit.
Kemnic, që gjendet në shtetin e Saksonisë në kufi me Çekinë, po tenton që të tërheqë punëtorë të kualifikuar. Kompania e Engelmannit tha se ka ndihmuar që të aranzhojë strehimin e përkohshëm të punëtorëve, t’u mundësojë kurse të gjuhës dhe të vozitjes dhe ka ndihmuar që të inkurajojë ata që të përshtaten në këtë qytet.
Por, Kemnici është bërë i famshëm për qëndrimet kundër migrantëve që nga viti 2018, kur një protestë e organizuar në qytet kundër migrantëve u shndërrua në trazirë.



