Qindra njerëz protestojnë në Suedi kundër sulmeve izraelite në Gaza

Qindra njerëz janë tubuar në kryeqytetin suedez Stockholm për të protestuar kundër sulmeve të vazhdueshme të Izraelit në Gaza, duke bërë thirrje për armëpushim të menjëhershëm, raporton Anadolu.

Demonstruesit u tubuan në lagjen Odenplan të kryeqytetit dhe marshuan drejt parlamentit suedez. Duke mbajtur flamuj palestineze, ata kërkuan që gjenocidi në Gaza të ndalet.

Protestuesit brohorisnin slogane “Izrael vrasës, largohu nga Palestina”, “Izrael vrasës, largohu nga Gaza” dhe “Armëpushim i menjëhershëm dhe pa kushte”.

Mattias Gardell, një profesor në Universitetin Uppsala, akuzoi qeverinë suedeze se hesht për gjenocidin që po kryen Izraeli kundër palestinezëve. Duke folur për Anadolu, Gardell theksoi se qeveria suedeze duhet të ndërmarrë veprime kundër gjenocidit.

“Ne shohim se si qeveria izraelite e ekstremit të djathtë po i çon palestinezët në kampe vdekjeje, domethënë në kampe përqendrimi. Ne shohim se si Izraeli po përdor ndihmën emergjente dhe humanitare të dërguar për palestinezët si karrem për të qëlluar dhe vrarë njerëz. Ne duam që qeveria suedeze të marrë një qëndrim kundër gjenocidit të Izraelit në përputhje me ligjin ndërkombëtar, siç kërkohet nga demokracia liberale”, tha Gardell.

Ai tha se ata kërkojnë që Suedia të ndalojë shitjen e armëve në Izrael dhe që kompanitë izraelite që vazhdojnë të kryejnë gjenocid të bojkotohen dhe që bashkëpunimi të tërhiqet.

Duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ushtria izraelite vazhdon me ofensivën vdekjeprurëse në Gaza që nga tetori i vitit 2023, duke vrarë të paktën 56.400 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.

Në muajin nëntor, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi ​​urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në enklavën palestineze.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button