Qindra njerëz mblidhen para gjykatës federale në New Jersey në mbështetje të Mahmoud Khalilit

Qindra njerëz janë mbledhur para gjykatës federale në qytetin Newark në New Jersey në mbështetje të të diplomuarit të ndaluar të Universitetit Columbia, raporton Anadolu.
Avokatët e Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së dhe Khalili i burgosur u paraqitën në gjykatën federale për të debatuar mbi juridiksionin e kërkesës së tij për lirim.
Khalil, një student i diplomuar i përfshirë në protestat e vitit të kalaur në mbështetje të Gazës, u ndalua këtë muaj.
Administrata e presidentit Donald Trump përdori një klauzolë në Aktin e Emigracionit dhe Kombësisë të vitit 1952 për të justifikuar ndalimin e tij, duke pretenduar se prania e tij mund të dëmtojë politikën e jashtme të SHBA-së dhe duke kërkuar dëbimin e tij.
Khalil, një shtetas algjerian me origjinë palestineze, ngriti padi për të kundërshtuar dëbimin e tij. Avokati i tij tha se qeveria po vë në shënjestër “fjalën e mbrojtur në kushtetutë dhe avokimin në emër të të drejtave të njeriut të palestinezëve”, si dhe paralajmëroi se nëse fjala kundërshtuese çon në dëbim, “ne të gjithë jemi në telashe mjaft serioze”.
Administrata amerikane ngriti akuza të reja kundër Khalilit, duke pretenduar se ai fshehu informacione për anëtarësimin e tij në grupe të caktuara dhe punën e tij në zyrën e Sirisë në ambasadën britanike.
Avokati i Khalilit mohoi pretendimet, duke theksuar se praktikat e tij ishin miratuar nga Universiteti Columbia. Gruja e Khalilit, nga ana e saj, i quajti akuzat “qesharake”, duke theksuar se qeveria “po kapë kashtë”.
Ndalimi i Khalilit çoi në zemërim kombëtar, me studentë të tjerë që u përballën me ndalime ose probleme me vizat.
Administrata e Trumpit gjithashtu i hoqi Universitetit Columbia 400 milionë dollarë grante federale. Si përgjigje, universiteti ra dakord me disa kërkesa, duke përfshirë punësimin e më shumë oficerëve të sigurisë.
Të martën, Asociacioni Amerikan i Profesorëve Universitar dhe Federata Amerikane e Mësuesve ngritën padi, duke pretenduar se kërcënimet e financimit shkelin lirinë akademike.