Qeveria: Zgjatet konkursi për zjarrfikësit

Në fshatra të caktuar të komunave: Veles, Makedonski Brod, Vasilevë dhe Dojran vazhdojnë të jenë aktive disa vatra zjarri. Sipas Qendrës për Menaxhim më Kriza vatrat e zjarrit për momentin nuk paraqesin rrezik për fshatrat afër këtyre zjarreve mirëpo kujtojnë banorët të jenë më vigjilentë gjatë këtyre ditëve të nxehta e të thata dhe të mos ndezin zjarre në ambiente të hapura.
“Në Komunën Makedonski Brod gjatë ditës janë angazhuar dy Air traktorë të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, një makinë e specializua përfshirë ekipin e tij dhe 30 pjestarë të Armatës. Në fshatin Niviçinë, komuna Vasilevë është angazhuar helikopteri Ministrisë së Punëve të Brendshme. Sërish apelojmë të gjithë qytetarët të jenë më vigjilentë gjatë këtyre ditëve të nxehta dhe të thata, të mos ndezin zjarre jashtë, të mos hedhin bishta cigaresh dhe të respektojnë ndalimin e lëvizjes në zonat pyjore pa lejen përkatëse”, tha Nadica Vëçkova, Qendra për Menaxhim me Kriza.
Ndërkohë, Qeveria ka bërë të ditur se për shkak të interesit të lartë dhe përgjigjes pozitive të qytetarëve, afati për aplikim në thirrjen publike për punësimin e 400 zjarrfikësve në të gjithë vendin zgjatet deri më më 23 korrik.
Sipas Qeverisë, vendimi për zgjatjen e afatit u mor me qëllim që t’u jepet mundësia sa më shumë qytetarëve të interesuar të aplikojnë. Masa parashikon përfshirjen e 400 personave të papunë, të cilët do të angazhohen në punë publike me fokus në krijimin e brezave të zjarrit dhe aktivitete të tjera për të parandaluar dhe zvogëluar rrezikun e zjarreve.
Të gjithë ata që do tregojnë interes të konsiderueshëm, përkushtim dhe gatishmëri të lartë pas përfundimit të kësaj mase do të angazhohen përgjithmonë përmes punësimit të tyre në institucionet përgjegjëse për këtë punë.