Qeveria suedeze dëshiron të zbatojë sanksione ndaj ministrave të ekstremit të djathtë të Izraelit

Ministri suedez i Zhvillimit Ndërkombëtar dhe Tregtisë së Jashtme, Benjamin Dousa, vuri në dukje embargon e ndihmës humanitare të Izraelit në Gaza dhe tha se duhet të vendosen sanksione ndaj ministrave të ekstremit të djathtë të Izraelit, raporton Anadolu.
Ministri Dousa, bëri vlerësime për Agjencinë Anadolu në lidhje me gjenocidin dhe sulmet që Izraeli po kryen në Rripin e Gazës, urinë e shkaktuar në rajon nga rrethimi i rreptë që kufizon ndihmën humanitare dhe hapat e nevojshëm që duhet të ndërmarrë Bashkimi Evropian (BE).
Dousa deklaroi se BE-ja po bën gjithçka që është në fuqinë e saj për Gazën. “Qeveria suedeze po mendon që ndaj qeverisë izraelite të ushtrohet më shumë presion. Për shembull, mund të merren hapa si zbatimin e sanksioneve ndaj ministrave të ekstremit të djathtë izraelitë dhe rishikimi i marrëveshjeve ekzistuese të partneritetit me Izraelin”, tha ai.
Ai theksoi se ka pak vende të BE-së të gatshme të ushtrojnë presion mbi Izraelin. “Ne mund të bëjmë shumë më tepër, por jemi disi më pak në BE. Ka pesë ose gjashtë vende të BE-së që mbështesin përpjekjet që qeveria suedeze dëshiron të ushtrojë mbi Izraelin. Megjithatë, për të rritur ndërgjegjësimin ne mund të bindim më shumë vende të mbështesin Suedinë”, tha Dousa.
Sipas tij, qeveria suedeze po bën gjithçka që është në fuqinë e saj për të ofruar më shumë ndihmë për Gazën. “Kjo është kriza më e keqe humanitare që nga fillimi i luftës (izraelito-palestineze). Si qeveri suedeze, ne e kemi rritur mbështetjen tonë humanitare për Gazën nga 400 milionë korona në periudhën e mëparshme në 800 milionë korona. Aktualisht, asnjë vend tjetër i BE-së nuk ka ndarë më shumë ndihmë për Gazën sesa Suedia”, tha Dousa.
Dousa gjithashtu u ndal te marrëdhëniet tregtare midis Suedisë dhe Turqisë, duke theksuar se: “Ekziston një marrëveshje partneriteti tregtar midis BE-së dhe Turqisë që daton 10 vjet më parë. Shumë kompani turke tregtojnë me vendet e BE-së, veçanërisht me Suedinë. Shumë kompani suedeze eksportojnë gjithashtu në Turqi. Disa nga kompanitë më të mëdha të Suedisë operojnë prej shumë vitesh në Turqi”.
– Sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës
Pas armëpushimit në Rripin e Gazës që hyri në fuqi më 19 janar, ushtria izraelite rifilloi sulmet e saj të ashpra në mëngjesin e 18 marsit. Të paktën 60.138 palestinezë janë vrarë dhe 146.269 janë plagosur në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023.
Në sulmet që Izraeli ka ndërmarrë që nga 18 marsi kur shkeli armëpushimin e deri më tani, në Gaza janë vrarë 8.970 persona dhe janë plagosur 34.228 të tjerë.
Është rritur në 1.239 numri i personave të vrarë dhe në 8.152 numri i të plagosurve si pasojë e sulmeve sistematike që shënjestrojnë palestinezët në zonat e shpërndarjes të krijuara që nga 27 maji nën maskën e ndihmës humanitare nga “Fondacioni Humanitar i Ndihmës për Gazën” i udhëhequr nga Izraeli dhe SHBA-ja.
Ushtria izraelite ka filluar zbatimin e një plani ofensiv që do të zgjerojë dhe do ta bëjë të përhershëm pushtimin e Rripit të Gazës. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka njoftuar pushtimin e të gjithë Rripit të Gazës.