Qeveria siriane shpall armëpushim të menjëhershëm në Suvejda mes thirrjeve ndërkombëtare për paqe

Presidenti sirian Ahmed al Sharaa ka shpallur një armëpushim urgjent, duke deklaruar se vendi ka pranuar thirrje ndërkombëtare për të ndërhyrë në konfliktin lokal në qytetin Suvejda dhe për të rivendosur sigurinë në rajon.
“Ngjarjet e fundit në provincën Suvejda kanë shënuar një pikë kthese të rrezikshme, dhe përplasjet e dhunshme mes grupeve të armatosura mund të kishin dalë jashtë kontrollit po të mos kishte ndërhyrë shteti sirian për ta qetësuar situatën”, tha al Sharaa gjatë një fjalimi televiziv të shtunën.
Ai gjithashtu theksoi se është e padrejtë të gjykohet e gjithë komuniteti druzi për veprimet e disa individëve.
“Druzët janë pjesë thelbësore e strukturës shoqërore siriane, përjashtimi i tyre përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për stabilitetin e Sirisë,” deklaroi Presidenti Sharaa.
“Populli i Suvejdës qëndron fuqishëm përkrah shtetit, përveç një pakice të vogël”, shtoi ai, duke theksuar se qeveria “shprehet e distancuar nga të gjitha masakrat dhe shkeljet që ndodhën” në këtë krahinë.
Presidenti gjithashtu falënderoi fiset lokale për qëndrimin e tyre heroik dhe i bëri thirrje të ndalojnë plotësisht përplasjet.
Në fjalimin e tij, ai iu referua edhe sulmeve ajrore izraelite në jug të vendit dhe në Damask, që kishin në shënjestër institucione shtetërore dhe forca lokale.
Agresioni izraelit “ka ndezur përsëri tensionet dhe e ka shtyrë vendin drejt një faze të rrezikshme që kërcënon stabilitetin e tij, si rezultat i bombardimeve të hapura në jug dhe në institucionet shtetërore në Damask,” tha Sharaa.
Ai paralajmëroi se Siria nuk do të shndërrohet në një fushëbetejë për ambicie separatiste apo projekte përçarëse.
Presidenti sirian shprehu mirënjohje për Turqinë, SHBA-në dhe vendet arabe për mbështetjen e tyre ndaj Damaskut në këtë fazë.
Më herët gjatë ditës, zyra e Presidentit Ahmed al Sharaa njoftoi për një “armëpushim të menjëhershëm” në Suvejda, teksa forcat e Ministrisë së Brendshme u vendosën në këtë krahinë me shumicë druzi, në kuadër të një marrëveshjeje me Izraelin.
Presidenca u bëri thirrje “të gjitha palëve të respektojnë plotësisht” armëpushimin, i cili u shpall pas bombardimeve izraelite mbi forcat e Ministrisë së Mbrojtjes që ishin vendosur në jugun e Sirisë, me qëllim detyrimin e tyre për t’u tërhequr.
Forcat speciale drejt Suvejdës
Forcat e sigurisë siriane filluan të dislokohen në provincën jugore të Suvejdës të shtunën, pas ditësh përplasjesh të dhunshme dhe trazirash, ka njoftuar Ministria e Brendshme.
“Pas ngjarjeve të përgjakshme të shkaktuara nga grupe të jashtëligjshme dhe me urdhër të drejtpërdrejtë nga Presidenca, forcat e sigurisë së brendshme kanë filluar të vendosen në Suvejdë si pjesë e një misioni kombëtar,” deklaroi zëdhënësi i Ministrisë, Noureddin al Baba.
Al Baba shtoi se “qëllimi i tyre kryesor është mbrojtja e civilëve dhe ndalimi i kaosit,” duke theksuar se “forcat e sigurisë do të përdorin të gjitha mjetet për të ndalur sulmet, për të ndërprerë luftën vëllavrasëse dhe për të rikthyer stabilitetin në krahinë.”
Deklarata vjen disa orë pasi ambasadori amerikan në Turqi konfirmoi se Siria dhe Izraeli janë dakorduar për një armëpushim.
Më 13 korrik, në Suvejdë shpërthyen përleshje mes fiseve arabe beduine dhe grupeve të armatosura druzi.
Dhuna u përshkallëzua dhe pasuan sulme ajrore izraelite, përfshirë goditje ndaj pozicioneve ushtarake siriane dhe infrastrukturës në Damask.
Izraeli e justifikoi agresionin me pretendimin për “mbrojtjen e komuniteteve druzi.”