Qeveria në Gaza: Izraeli ka vrarë 2.000 palestinezë në 38 ditët e fundit në veri të Gazës
Të paktën 2.000 palestinezë janë vrarë në sulmet tokësore që ushtria izraelite filloi më 6 tetor në veri të Rripit të Gazës, raporton Anadolu.
Drejtori i Zyrës për media e qeverisë në Gaza, Ismail al-Sawabite, në deklaratën për Anadolu foli rreth situatës së fundit në veri të Rripit të Gazës.
Sipas tij, ushtria izraelite po bën “spastrim etnik” prej 38 ditësh në veri të Rripit të Gazës dhe se ka vrarë të paktën 2.000 palestinezë. Al-Sawabite përsëriti thirrjen për komunitetin ndërkombëtar për “ndërhyrje urgjente që të ndalohet lufta gjenocidale” që po zbatohet ndaj palestinezëve në veri të Gazës.
Ai akuzoi SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe disa vende evropiane se janë “palë në politikën e urisë dhe gjenocidit” në Gaza.
– Gënjeshtra e zonës së sigurtë
“Izraeli po mashtron botën dhe komunitetin ndërkombëtar me harta të rreme që tregojnë zgjerimin e zonave humanitare që i ka shpallur të sigurta për palestinezët. Ushtria izraelite përhap dezinformata, duke pretenduar se ofron ndihmë, themelon spitale fushore dhe zgjeron zonat humanitare”, tha më tej zyrtari qeveritar në Gaza.
Al-Sawabite potencon se zonat e shënuara me të verdhë dhe të përcaktuara si “të sigurta dhe njerëzore” nga ushtria izraelite janë shënjestruar dhe bombarduar, ku si pasojë shumë civilë, gra, fëmijë dhe të moshuar u vranë dhe se rajoni Al-Mawasi në perëndim të Khan Yunis dhe Deir al-Belah u bombarduan pavarësisht se u shpallën “të sigurta”.
– Izraeli parandalon hyrjen ndihmave
Al-Sawabite thotë se Izraeli parandalon hyrjen e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës. “Kufizimet e vendosura nga Izraeli e kanë thelluar krizën humanitare në Gaza në mënyrë të paprecedentë. Meqenëse porta kufitare Rafah, pika kryesore e kalimit të ndihmës, është mbyllur për rreth 190 ditë, ka mungesë serioze të furnizimeve bazë dhe rastet e urisë po shtohen në veri”, shtoi ai.
Sipas tij, në anën tjetër të pikës kufitare Rafah 600 mijë tonë ndihma dhe materiale ushqimore presin por Izraeli nuk lejon kalimin e tyre.