Qeveria me mesazh për Koçanin: “Asnjë nuk është vetëm – kjo është një betejë e përbashkët”

Pas tragjedisë së rëndë në Koçan, ku humbën jetën 62 të rinj dhe dhjetëra të tjerë mbetën të lënduar, Qeveria ka dalë me një deklaratë publike duke theksuar përkushtimin e saj të plotë për hetimin e rastit dhe ofrimin e mbështetjes për të gjithë të prekurit.
Në deklaratën zyrtare thuhet se:
“Tragjedia në Koçan është e një përmase të paparë. Si Qeveri, kemi obligim moral dhe institucional që jo vetëm të hetojmë dhe të sjellim para drejtësisë përgjegjësit, por edhe të kujdesemi për të lënduarit dhe familjet e tyre.”
Derisa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes po vazhdojnë, Qeveria ka njoftuar se tashmë janë ndarë 30 milionë denarë për të mbuluar shpenzimet e transportit dhe akomodimit të familjarëve të të lënduarve.
Po ashtu, është vendosur që qendra rekreative Ponikva të shndërrohet në një qendër të përkohshme rehabilitimi, ku do të ofrohet kujdes psikofizik dhe ndihmë mjekësore për qytetarët e lënduar. Kjo qendër do të ketë në dispozicion 27 dhoma dhe 56 shtretër, si dhe staf të specializuar për trajtim dhe rikuperim.
Në një tjetër hap konkret, është hapur edhe një linjë telefonike direkte me Kryeministrin, në dispozicion të familjarëve dhe të lënduarve, ku mund të raportojnë kërkesat, nevojat apo propozimet e tyre në numrin 070/355-526.
“As të lënduarit, as familjarët e viktimave nuk janë vetëm. Koçani është prioriteti ynë. Do të bëjmë gjithçka që është në kompetencat tona për të ndihmuar dhe për të provuar të ulim dhimbjen,” theksohet në fund të deklaratës qeveritare.
Qeveria siguron qytetarët se do të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për të garantuar mbështetje të vazhdueshme dhe transparencë të plotë në lidhje me hetimet dhe ndihmën pas-tragjike.