Qeveria e Kosovës miraton marrëveshje financiare ushtarake me Turqinë për mbështetjen e FSK-së

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes Financiare Ushtarake me Qeverinë e Republikës së Turqisë, e cila parasheh mbështetje prej 200 milionë lirash turke për forcimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, bëri të ditur se kjo marrëveshje synon avancimin e kapaciteteve operacionale dhe modernizimin e FSK-së përmes bashkëpunimit me Turqinë.
“Miratohet në Qeverinë e Republikës së Kosovës nisma për lidhjen e Marrëveshjes Financiare Ushtarake ndërmjet së cilës Qeveria e Republikës së Turqisë do të mbështes Qeverinë e Republikës së Kosovës me 200,000,000.00 TL (dyqind milionë lira turke) për forcimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e ministrit.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, kjo mbështetje financiare do të kontribuojë në zhvillimin e mëtejmë të FSK-së dhe në rritjen e aftësive të saj në përmbushjen e misioneve në shërbim të sigurisë së vendit.



