Qentë robotë do të ndihmojnë policinë meksikane gjatë Kupës së Botës 2026

Një “tufë” qensh robotë do të ndihmojë policinë meksikane në luftën kundër krimit gjatë Kupës së Botës 2026 këtë verë, kanë bërë të ditur autoritetet.
Robotët me katër këmbë janë projektuar për të hyrë në zona të rrezikshme dhe për të transmetuar pamje live drejt forcave të sigurisë, të cilat mund t’i ndjekin ato përpara se të ndërhyjnë gjatë turneut të futbollit.
Spektakli global, që do të zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik, organizohet nga Meksika së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë.
Robotët me pamje kafshërore janë blerë për 145.000 dollarë nga këshilli bashkiak i Guadalupes, pjesë e zonës metropolitane të Monterreyt, e cila do të presë një nga stadiumet e Kupës së Botës. Një video e publikuar nga qeveria lokale tregon një nga robotët duke ecur me katër këmbë nëpër një ndërtesë të braktisur dhe duke u ngjitur shkallëve, megjithëse me vështirësi.
Qeni robot shihet duke transmetuar pamje live drejt një grupi policësh që ecin në heshtje pas tij.
Në demonstrim, roboti me formë qeni përballet me një burrë të armatosur dhe i urdhëron atij të ulë armën përmes një altoparlanti.
Qëllimi i qenve robotë është “të mbështesin oficerët e policisë në ndërhyrjen fillestare… për të mbrojtur sigurinë fizike të tyre”, tha kryebashkiaku i Guadalupes, Hector Garcia.
Ata do të përdoren “në rast të çdo përplasjeje”, shtoi ai.
Stadiumi BBVA, i cili gjatë turneut do të quhet Estadio Monterrey, do të presë katër ndeshje. /TRT World/



