Qendra s’mban dot

Duke u rrotulluar në një spirale pa fund
Fajkoi s’mund të dëgjojë të zotin.
Gjërat shkërmoqen, qendra s’mban dot.
Anarkia del nga frerët të pushtojë botën,
baticat e gjakut lëshohen dhe kudo
rituali i pafajsisë mbytet;
më të mirëve u mungon bindja, ndërsa
më të këqinjtë
janë plot me vrull pasionant. (B. Jits [W. B. Yeats] “Ardhja e dytë”, përkthyer nga Kujtim Morina)
Shkruan: Enis SULSTAROVA, Tiranë
Qendra liberal-demokratike
Pas tmerreve dhe shkatërrimeve të Luftës së Dytë Botërore, në Europën Perëndimore, që tashmë ndodhej nën hegjemoninë amerikane, u restaurua sistemi politik liberal-demokratik. Partitë e së djathtës demokristiane dhe të së majtës social-demokrate ranë dakord që betejën e tyre do ta zhvillonin në terrenin e përbashkët liberal: liritë dhe të drejtat e njeriut do të mbroheshin me kushtetutë dhe fitorja e secilës do të përcaktohej nga votimi periodik popullor. Rreth kësaj qendre liberale u lejua veprimtaria e partive me pozicione të skajshme politike, me kushtin që ato të hiqnin dorë nga revolucioni dhe t’u nënshtroheshin rregullave të lojës demokratike. Partitë komuniste, ndërsa mbronin pozitat botërore të Bashkimit Sovjetik, e kishin të qartë se për të marrë pjesë në pushtet do t’u duhej të konkurronin me partitë socialiste për t’i plotësuar kërkesat e klasës punëtore. Partitë e skajit të djathtë, me prirje autoritariste e neofashiste, nuk përbënin një alternativë reale për të qeverisur dhe shërbenin më shumë për të mbajtur në kontroll të majtën e skajshme. Regjimet autoritariste në Portugali dhe Spanjë mbijetuan për ca kohë, sepse qëndruan asnjanjëse në luftë, hoqën dorë nga imitimi i fashizmit dhe u bënë pjesë e tregut të përbashkët dhe e sistemit kolektiv të mbrojtjes kundër kampit komunist. Pas vdekjeve te Salazarit dhe Frankos, Portugalia dhe Spanja nisën reformat politike, të cilat, sipas politilogut Samuel Hantington [Samuel Huntingon], inauguruan “valën e tretë” të demokratizimit në botë.
Bashkëpëlqimi i qendrës politike liberale shoqërohej me bashkëpëlqimin mbi ndërhyrjen rregullatore të shtetit në ekonominë e tregut dhe mbi ngritjen e një rrjete të shërbimeve shtetërore për më të disavantazhuarit dhe të përjashtuarit prej garës në treg. Rritja ekonomike, e shoqëruar me garantimin e punësimit dhe pensionit, ringritja e industrive, rritja e nivelit të arsimit, fryma konsumeriste, shumëfishimi i stileve të jetës, rritja e barazisë gjinore e fryma e çlirimit seksual, të gjitha këto bënë që shumica e popullatave të vendeve të Europës Perëndimore të prireshin t’i votonin partitë e qendrës. Kjo gjë u lejoi dhe partive të qendrës që të vendosnin një kordon sanitar, ndaj partive në skaje të spektrit politik. Krijimi i komuniteteve europiane, që do të formonin themelin institucional të Bashkimit Europian të sotëm, e zbuti konkurrencën midis shteteve kombëtare, ndërkohë që bashkësitë dhe pakicat etnike brenda shteteve përfituan të drejta kolektive brenda frymës së përgjithshme të demokracisë e të drejtave të njeriut. Në këtë mënyrë, lëvizjet separatiste të skajshme që përdornin terrorizmin, si IRA në Irlandën e Veriut dhe ETA baske në Spanjë, nuk patën sukses, edhe pse mbetën një problem i përhershëm i sigurisë në shtetet përkatëse.
Gjysma lindore e Europës për gati gjysmë shekulli njohu regjime politike dhe një sistem ekonomik që i kufizonin liritë e qytetarëve të tyre. Edhe pse komunizmi, me kalimin e kohës, tregoi shenja zbutjeje, sidomos në Jugosllavi, prapëseprapë nuk arriti të sigurojë nivele të mirëqenies materiale, lirisë personale e demokracisë, që të ishin të krahasueshme me ato që në vitet 1980 ofronin shtetet e Europës Jugore – Spanja, Portugalia, Italia e Greqia, – të cilat nga ana e tyre radhiteshin pas shteteve si Gjermania, Franca, Holanda, Britania e Madhe ose shtetet skandinave. Shtetet komuniste krenoheshin që e kishin zgjidhur problemin kombëtar sipas recetave të Leninit e Stalinit, por përhapja e demokracisë në pjesën lindore të kontinentit u shoqërua me bashkimin e dy shteteve gjermane, rikthimin e çështjeve kombëtare, luftërave jugosllave dhe me themelimin e shteteve të reja. Gjenocidi, i motivuar nga urrejtja etniko-racore, u përsërit sërish në kontinentin e Europës. Mbizotërimi ekstremizmit politik në Serbi dhe në Republikën Serbe të Bosnjë-Hercegovinës, është një nga shkaqet që po e mban rajonin e Ballkanit Perëndimor të paintegruar në Bashkimin Europian.
Pse qendra nuk po mban dot?
Mirëpo, po duket sikur edhe në zemër të Perëndimit qendra politike nuk po mban dot përballë trysnisë së të djathtës radikalo-populiste, që është tashmë një faktor i rëndësishëm elektoral në shumë shtete të Bashkimit Europian. Po ashtu presidenti i tanishëm i SHBA-së, Donald Tramp [Donald Trump], po ndjek politika të skajshme brenda dhe jashtë vendit, që po lëkundin qëndrueshmërinë e rendit ndërkombëtar. Edhe pse pritej një luftë ekonomike e SHBA-së ndaj Kinës, nuk pritej që SHBA-ja të paraqiste pretendime territoriale ndaj shteteve aleate si Kanadaja e Danimarka (Groenlanda). Gjithashtu, ai ka zgjedhur rrugën e gabuar për të arritur një paqe të shpejtë midis Rusisë dhe Ukrainës: me presion për prerjen e ndihmave ushtarake ndaj shtetit demokratik që po mbrohet dhe duke amnistuar shtetin pushtues me regjim autoritar. Po kështu moszbatimi i marrëveshjeve ndërkombëtare për ngrohjen globale nga ana e SHBA-së dhe e disa shteteve që kryesojnë për i sa përket emetimit të gazrave që shkaktojnë efektin serrë, është një tjetër sjellje e skajshme me pasoja të pallogaritshme për të ardhmen e planetit tonë.
Arsyet pse kemi mbërritur në këtë situatë të ekstremeve janë të shumta. Disa që po shtjellojmë më poshtë i ka përmendur dhe Arbër Zaimi te numri i kaluar i “Shenjës”. Së pari, për sa i përket ekonomisë së tregut, bashkëpëlqimi i qendrës politike prej dekadash tashmë është spostuar në skaj. Nga “ekonomia e përzier” partitë e qendrës kanë kaluar në përkrahje të neoliberalizmit. Për pasojë, parlamentet dhe qeveritë kanë më pak ndikim në politikat makro-ekonomike se më parë. Këto të fundit u janë besuar institucioneve teknokratike, disa prej të cilave në Bashkimin Europian janë mbikombëtare. Shtetet konkurrojnë me njëri-tjetrin për tërheqjen e investimeve të huaja, duke ulur taksat, duke “çrregulluar” sektorë të ekonomisë, duke privatizuar shërbimet publike, duke ulur shpenzimet publike etj. Në ekonominë botërore vijon të mbizotërojë spekulimi financiar, i cili nuk bazohet në prodhim, por në ndryshimet e kurseve të këmbimit valutor, shitblerjen onlajn të aksioneve abstrakte (p.sh. rënia e madhe e vlerës së aksioneve të kompanisë “Tesla” nuk ka të bëjë me produktin në vetvete, por me përfshirjen e themeluesit Elon Mask [Elon Musk] në administratën e Trampit) dhe kriptomonedha.
Më të rrezikuarit prej luhatjeve të tregjeve financiare janë shtresat e mesme dhe të varfra që, për pasojë, ndjehen të papërfaqësuar nga qeveritë e qendrës liberal-demokratike që nuk morën masa për të vënë në fre egërsinë e tregjeve financiare, edhe pas krizës së madhe të vitit 2008. Ndërsa paketa e mbështetjes shoqërore po zvogëlohet, pabarazitë kanë ardhur duke u rritur, duke shkaktuar pakënaqësinë e votuesve. Një pjese të votuesve u duket pa kuptim ndarja e djathtë–e majtë, politikanët e qendrës u ngjajnë si një grup i vetëm që prapa skenës demokratike mbron interesat e oligarkëve. Prej rritjes së mosbesimit ndaj qendrës politike po përfitojnë partitë e skajshme “kundërsistem”, të cilat ndërkohë i kanë zbutur ideologjitë dhe retorikën e tyre. Madje, në disa raste, partitë radikalo-populiste në Perëndim paraqiten si mbrojtëse të vlerave të qendrës, si p.sh. laicizmi (përkundër islamizimit të supozuar të Europës) ose të drejtat e grave (përkundër rrezikut të agresionit ndaj grave prej imigrantëve). Ato janë zhveshur edhe nga kundërsemitizmi tradicional i së djathtës së skajshme dhe tani paraqiten si mbrojtës të Izraelit, meqenëse e kanë islamin si kundërshtarin e përbashkët.
Së dyti, teknologjitë e reja të informacionit dhe komunikimit në përgjithësi e kanë ulur cilësinë e politikës. Votuesit janë bërë më të shkujdesur e moskokëçarës për politikat afatgjata dhe bien pre e lajmeve sensacionale, skandaleve dhe e politikanëve populistë që përdorin retorikë polarizuese e gjuhë të urrejtjes. Mobilizimi politik bëhet më lehtë me mesazhe të skajshme ndaj armiqve politikë, realë apo imagjinarë, sesa me anë të projekteve për rimëkëmbje ekonomike. Çmontimi i shtetit (simbolizuar nga Masku me një sharrë elektrike në dorë), duket më i lehtë sesa ristrukturimi me maturi i administratës publike për t’iu përgjigjur sfidave të reja.
Një arsyeja e tretë, që e përmend dhe Zaimi, është “ankthi identitar” i shumë votuesve perëndimorë ndaj mërgimtarëve të huaj që hyjnë në vendet e tyre në kërkim të punës dhe të një jete më të mirë. Ndërsa shtetet e Europës kanë pësuar një rënie demografike dhe e kanë të nevojshëm pranimin e punëtorëve të huaj për të ruajtur nivelin e zhvillimit ekonomik dhe për të mbajtur shërbimet e mirëqenies shoqërore, te shumë votues po përhapet frika për një “zëvendësim të madh” të popullatës vendase me të ardhur nga kontinente të tjerë. Partitë e së djathtës radikalo-populiste bëjnë thirrje për mbrojtjen e qytetërimit perëndimor e të krishterimit, ndërsa presidenti amerikan Tramp tentoi ndërtimin e një muri midis SHBA-së dhe Meksikës.
Arsyeja e katërt është ngadhënjimi në Perëndim i konsumerizmit dhe fiksimi i përgjithshëm për përmbushjen e kënaqësive vetjake. Dëshira për bollëk material dhe frika nga humbja e rehatisë ka krijuar një mendësi egoiste që kundërshton çdo lloj sakrifice, sado të përkohshme në emër të vlerave morale, ndihmës ndaj tjetrit në nevojë etj. Më fillimin e sulmit në shkallë të gjerë të Rusisë ndaj Ukrainës, shumë qytetarë në Europë u merakosën më shumë për rritjen e çmimit të energjisë dhe të produkteve dhe uronin që Ukraina të dorëzohej sa më shpejt. Disa parti e politikanë u përpoqën menjëherë të kapitalizojnë për vota këtë mendësi dhe u rreshtuan në krahun prorus. Një egoizëm i skajshëm, në emër të interesave të popullit amerikan, po e karakterizon edhe administratën e presidentit Tramp. Shpenzimet amerikane për përhapjen dhe forcimin e vlerave demokratike në botë janë ndërprerë thuajse krejt, pa bërë dallimin midis projekteve të dobishme e atyre të dyshimta ose dallimin midis nevojave reale që kanë vende të ndryshme. Vijimi i ndihmës ushtarake amerikane për Ukrainën po kushtëzohet me dhënien e mineraleve të çmuara në këmbim. Kërkesat e Trampit mund të justifikohen deri diku, sikurse edhe Ukraina duhet të jetë e gatshme të japë shumëçka për lirinë e saj, mirëpo nxitimi i vrazhdtë i Trampit për ta detyruar Zelenksin për të pranuar një paqe të padrejtë, që shpërblen agresorin, çalon nga aspekti moral.
Së pesti, partitë e qendrës rënien e komunizmit e përjetuan si “fundin e historisë”. Dallimi midis të majtës dhe të djathtës tradicionale është zbehur. Ndërsa e djathta nuk i ka humbur pikat e referencës te tregu i lirë, familja, kombi, ruajtja e privatësisë individuale prej ndërhyrjes shtetërore, madje shpeshherë i ka kombinuar ato për politika skajore, siç është rasti i neoliberalizmit në ekonomi, e majta perëndimore nuk ka mundur të ofrojë një model alternativ zhvillimi në shkallë kontinentale apo botërore, por përkundrazi ka marrë pjesë në privatizimin e shërbimeve publike. Ata që e kanë pësuar më së shumti nga tkurrja e shërbimeve të mirëqenies shoqërore dhe të shërbimeve publike, kanë mbetur të papërfaqësuar nga qendra e majtë dhe i janë drejtuar ose skajit të majtë, ose partive radikalo-populiste të djathta që thonë se elitat liberale komplotojnë kundër popullit të tyre në favor të imigrantëve të huaj dhe korporatave globale.
Gjithashtu, në emër të luftës kundër racizmit dhe fashizmit, e majta ndonjëherë është treguar përkrahëse e politikës së imigrimit pa kufi dhe e politikave shumëkulturore dhe ka hequr dorë nga referenca te kombi, duke bërë që shumë votues tradicionalë të saj të largohen te e djathta radikalo-populiste. Një zhvillim premtues është dalja në skenë e subjekteve të reja të majta, si Podemos në Spanjë, që e kanë rifutur në ligjërimin e tyre idenë e kombit, sigurisht me një kuptim qytetar dhe përfshirës sesa e djathta e skajshme. Ndërkaq, në shtete me histori të tensioneve apo përplasjeve kombëtare, e majta demokratike ka vijuar ta ketë vetëvendosjen popullore pjesë të programit të saj. Shembuj janë Partia Kombëtare në Skoci, që kërkon pavarësi nga Britania e Madhe, Shin Fejni [Sinn Fein] që kërkon bashkimin e Irlandës dhe Lëvizja Vetëvendosje! në Kosovë.
Regjime hibride
Ndërkohë që në Rusi, Kinë e gjetkë, autoritarizmi e ka gjetur gjuhën e përbashkët me ekonominë e tregut, problemi i partive të skajshme/radikale në demokracitë perëndimore është pikërisht se “qendra nuk mban dot”. Nëse demokracia dhe liberalizmi shiheshin si të pandashëm, tani rrezikohet pikërisht që ata t’i kundërvihen njëri tjetrit. Partitë radikalo-populiste të së djathtës e kanë mësuar lojën demokratike, sepse e respektojnë garën dhe gjithnjë i apelojnë shumicës, por ajo që ato kundërshtojnë janë universalizmi i të drejtave e njeriut. Kur kordoni sanitar i partive të qendrës hollohet dhe partitë e skajshme marrin pjesë në pushtet, sulmi i këtyre ndaj të drejtave nuk është total. Ai ndryshon nga shteti në shtet, në varësi të kontekstit politik e shoqëror: diku duke shkelur ndarjen e pushteteve; diku duke kufizuar lirinë e grave për të abortuar; diku duke kufizuar lirinë e medias dhe veprimtaritë e shoqërisë civile; diku duke kufizuar e vështirësuar marrjen e qytetarisë prej imigrantëve; diku duke rezervuar shërbime të caktuara publike vetëm për “vendasit”; diku tjetër duke diferencuar midis refugjatëve të krishterë që u jepet strehim dhe atyre myslimanë që nuk lejohen të qëndrojnë etj.
Përdorimi i procedurave demokratike për të kufizuar liritë fillimisht prodhon regjime hibride, të cilët ndjekin politika autoritariste dhe rikonfirmohen vazhdimisht në pushtet me anë të votës së shumicës. Kur qendra liberal-demokratike kundërpërgjigjet, regjimet hibride e kërkojnë përkrahjen te regjimet autoritariste. Qeveria e Orbanit në Hungari më se njëherë ka refuzuar ta ndjekë linjën e sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë. Regjimet hibride mund të lëvizin drejt autoritarizmit të hapur kur gjejnë kushte të përshtatshme ndërkombëtare. Nuk mjafton demonizimi ndaj tyre, por u duhet vënë veshi atyre votuesve që nuk janë të kënaqur prej sistemit. Nëse ata mendojnë se fëmijët e tyre ndoshta nuk do t’i kenë të njëjtat mundësi zhvillimi dhe realizimi që patën ata vetë, kjo do të thotë se sistemi nuk është i drejtë. Pavarësisht faktit se ata që akuzohen më shpesh si fajtorë të situatës janë imigrantët, myslimanët, çifutët apo grupet e përhershme okulte që sundojnë botën, aq sa ndonjëherë duket sikur po përjetojmë sërish vitet që pasuan Depresionin e Madh. Historianët e kanë quajtur shek. XX “epoka e ekstremeve” dhe Europën e së njëjtës periudhë e kanë pagëzuar “kontinenti i errët”. Që metafora të tilla të mos përsëriten për shekullin e tanishëm, duhet patjetër që qendra liberal-demokratike të ripozicionohet pikërisht në qendër, sepse demokracia është shumë më tepër sesa thjesht tregu i lirë.