Që nga 7 tetori 2023 Izraeli bombardoi 256 qendra strehimi në Gaza ku ndodheshin mbi 700 mijë palestinezë

Ushtria izraelite që nga 7 tetori 2023 e deri më tani ka shënjestruar 256 qendra evakuimi dhe strehimi në Rripin e Gazës, në të cilat ndodheshin më shumë se 700 mijë palestinezë të zhvendosur, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë me shkrim nga Zyra për media e qeverisë në Gaza thuhet se “Izraeli pushtues vazhdon krimet e tij sistematike kundër civilëve dhe personave të zhvendosur në Gaza. Këto qendra, ku familjet, shtëpitë e të cilëve u bombarduan dhe që u strehuan në qendrat e strehimit për të mbijetuar, po shënjestrohen qëllimisht dhe në mënyrë të përsëritur”.
Theksohet se Izraeli ka sulmuar më shumë se 11 qendra strehimi vetëm në qershor dhe se kjo është pjesë e një krimi të organizuar që shpërfilli ligjin ndërkombëtar dhe marrëveshjet humanitare.
Me këto sulme, numri i qendrave të strehimit të shënjestruara nga Izraeli gjatë procesit të gjenocidit ka arritur në 256, dhe se më shumë se 700 mijë njerëz që jetonin në këto qendra u privuan nga nevojat e tyre më themelore njerëzore pasi shtëpitë dhe hapësirat e tyre të jetesës u shkatërruan, thuhet më tej.
Shumica e qendrave të shënjestruara janë institucione arsimore dhe se këto shkolla, ku dhjetëra mijëra studentë ndjekin mësimin, janë shënjestruar drejtpërdrejt nga Izraeli.
“Izraeli pushtues dhe vendet që janë bashkëpunëtorë në këtë proces janë përgjegjës për vazhdimin e krimit të gjenocidit. Dënojmë krimet e Izraelit kundër shkollave, qendrave të evakuimit dhe strehimit në termat më të forta të mundshme”, thuhet në deklaratë.
Më tej në deklaratë i bëhet thirrje komunitetit ndërkombëtar, Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) dhe të gjitha vendeve të lira në botë të “ndërmarrin veprime për të ndaluar gjenocidin në Gaza, për të hequr bllokadën dhe për të rindërtuar infrastrukturën jetësore që Izraeli ka shkatërruar”.
Ushtria izraelite, e cila ka kryer masakrat e saj në Gaza që nga 7 tetori 2023, godet shpesh shkollat dhe kampet ku strehohen palestinezët e zhvendosur.