Putin i përgjigjet Trumpit: Jeta e ushtarëve ukrainas në Kursk do të jetë e garantuar nëse dorëzohen

Presidenti rus Vladimir Putin tha se e kupton thirrjen e presidentit amerikan Donald Trump për të kursyer jetën e ushtarëve ukrainas në Kursk, por shtoi se “jeta e tyre do të jetë e garantuar nëse ata dorëzojnë armët dhe dorëzohen”, raporton Anadolu.
Duke komentuar thirrjen e sotme të Trumpit për të kursyer jetën e ushtarëve ukrainas në Kursk, Putin, në një takim të Këshillit Rus të Sigurisë në Moskë, tha se “Luftëtarët ukrainas kanë kryer krime të shumta kundër popullatës civile në zonën e pushtuar”.
Ai theksoi se Rusia i konsideron krimet në fjalë brenda definicionit të terrorizmit.
“Në të njëjtën kohë, ne e kuptojmë thirrjen e Trumpit për konsiderata humanitare në lidhje me këta ushtarë. Nëse ata dorëzojnë armët dhe dorëzohen, jeta e tyre do të jetë e garantuar. Ata do të trajtohen me dinjitet në përputhje me normat e së drejtës ndërkombëtare dhe ligjit rus”, tha Putin.
Presidenti rus i bëri thirrje gjithashtu administratës ukrainase, duke thënë: “Për zbatimin efektiv të thirrjes së presidentit të SHBA-së, administrata ukrainase duhet të urdhërojë njësitë e saj ushtarake të lënë armët dhe të dorëzohen si robër lufte”.