Pse Trump po vendos sanksione ndaj GJNP-së dhe si mund të mbrohet GJNP-ja?

Të enjten, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, nënshkroi një urdhër ekzekutiv për vendosjen e sanksioneve ndaj Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) për shkak të hetimeve të saj ndaj zyrtarëve të lartë izraelitë.
Ky vendim erdhi pas vizitës së Kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, në Shtëpinë e Bardhë. Netanyahu është i kërkuar nga GJNP për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera në Gaza që nga tetori i vitit 2023.
Netanyahu dhe ish-ministri i tij i mbrojtjes, Yoav Gallant, u përballën me urdhër-arreste në nëntor të vitit të kaluar, së bashku me tre liderë të Hamasit, të cilët më pas u vranë nga Izraeli.
Sanksionet vendosin kufizime financiare dhe të vizave për individët e paidentifikuar dhe familjet e tyre që ndihmojnë në hetimet e GJNP ndaj qytetarëve amerikanë ose aleatëve të SHBA-së.
Presidenti i GJNP-së më parë ka paralajmëruar se këto sanksione mund të përbëjnë një kërcënim ekzistencial për gjykatën. Ekspertët gjithashtu paralajmërojnë se ndikimi i tyre mund të shtrihet përtej hetimeve ndaj liderëve izraelitë.
“I frikësohem pasojave afatgjata të kësaj mase”, tha Todd F. Buchwald, një studiues ligjor dhe ish-ambasador i SHBA-së për drejtësinë penale globale, për Middle East Eye.
Çfarë është një urdhër ekzekutiv?
Një urdhër ekzekutiv është një dekret i lëshuar nga presidenti i SHBA-së që ka fuqinë e ligjit. Megjithëse nuk është ligj i miratuar nga Kongresi, ai duhet të bazohet në autoritetin kushtetues ose ligjor ekzistues.
Sipas Ligjit për Emergjencat Kombëtare të vitit 1976, presidenti mund të shpallë një emergjencë kombëtare, duke aktivizuar kompetenca të veçanta, përfshirë vendosjen e sanksioneve ndaj individëve ose qeverive të huaja.
Urdhrat ekzekutivë mund të sfidohen në gjykatë nëse konsiderohen antikushtetues, por në praktikë, veprimet për sanksione rrallëherë kundërshtohen në gjykata, tha Adam Keith, drejtor i organizatës Human Rights First.
Më 6 shkurt, Trump shpalli një emergjencë kombëtare për të kundërshtuar hetimet e GJPN ndaj individëve të mbrojtur sipas këtij urdhri.
Pse Trump po vendos sanksione ndaj GJNP-së?
Në dekretin e tij, Trump deklaroi se GJNP ka “ndërmarrë veprime të paligjshme dhe të pabaza kundër Amerikës dhe aleatit tonë të ngushtë, Izraelit”.
As SHBA dhe as Izraeli nuk janë shtete anëtare të Statutit të Romës, traktati që themeloi GJNP-në në vitin 2002. Të dy shtetet kanë kundërshtuar hetimin e GJNP-së për Palestinën, i cili filloi në vitin 2021 nga ish-prokurorja Fatou Bensouda.
Jurisdiksioni i gjykatës bazohet në pranimin e Shtetit të Palestinës si anëtar i Statutit të Romës në vitin 2015, duke i dhënë asaj të drejtën për të hetuar individë izraelitë për krime të kryera në Gaza, Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor.
Megjithatë, SHBA dhe Izraeli e kundërshtojnë këtë kompetencë, duke pretenduar se nuk e njohin Palestinën si shtet dhe se Izraeli ka kapacitetin të hetojë vetë krimet e supozuara.
Dekreti i Trump e mbështet këtë argument dhe e cilëson lëshimin e urdhër-arresteve si një abuzim me pushtetin.
Dekreti gjithashtu shpreh shqetësimin se hetimet e GJNP-së mund të rrezikojnë personelin amerikan dhe anëtarët e ushtrisë së SHBA-së duke i ekspozuar ndaj “ngacmimeve, abuzimeve dhe arrestimeve të mundshme”, duke e cilësuar këtë si një kërcënim për sovranitetin dhe sigurinë kombëtare të SHBA-së dhe Izraelit.
Urdhri i referohet edhe Ligjit Amerikan për Mbrojtjen e Personelit Ushtarak të vitit 2002 (ASPA), i cili kufizon bashkëpunimin e SHBA-së me GJNP-në dhe autorizon përdorimin e forcës për të liruar çdo personel amerikan të arrestuar nga gjykata. Ky ligj shpesh quhet “Akt i Pushtimit të Hagës”.
Kush është i prekur nga sanksionet?
Ndryshe nga urdhri i vitit 2020, që përmendte emrat e prokurores së atëhershme të GJNP-së dhe zëvendësit të saj, dekretimi i fundit nuk i identifikon individët e sanksionuar.
Megjithatë, ai parashikon sanksione ndaj atyre që janë përgjegjës për veprimet e GJNP-së kundër SHBA-së dhe Izraelit.
Këto masa përfshijnë:
- Bllokimin e pasurive në SHBA të individëve të prekur
- Ndalimin e hyrjes në SHBA për ta dhe familjet e tyre
- Sanksione të mundshme ndaj personave të huaj që ndihmojnë GJNP-në në hetime
Kreu aktual i GJPN-së, Karim Khan, besohet të jetë një nga të sanksionuarit, por pa një listë të plotë, ndikimi i sanksioneve mbetet i paqartë.
Human Rights Watch ka paralajmëruar se sanksionet mund të kenë “efekt frikësues” për bankat dhe kompanitë ndërkombëtare, të cilat mund të përjashtohen nga sistemi bankar amerikan nëse nuk zbatojnë urdhrin e sanksioneve.
Si mund të mbrohet GJNP?
Shtetet anëtare të GJNP-së mund të marrin masa për të kundërshtuar efektet e sanksioneve.
Bashkimi Evropian mund të përdorë Statutin e Bllokimit të BE-së, një mekanizëm që mbron subjektet evropiane nga sanksionet e jashtme, siç është rasti me embargon ndaj Kubës dhe Iranit.
Kjo mund të sigurojë që shërbimet financiare evropiane të mos ndëshkohen për bashkëpunim me GJNP-në, shpjegoi Liz Evenson nga Human Rights Watch.
Ndërkohë, Kenneth Roth, ish-drejtues i HRW, sugjeroi që BE të krijojë një sistem alternativ financiar për të mbrojtur gjyqtarët dhe prokurorët e GJNP-së nga ndikimi i sanksioneve të Trump-it.
Nga ana e saj, GJNP mund të përdorë nenin 70 të Statutit të Romës për të akuzuar Trumpin dhe zyrtarët amerikanë për pengim të drejtësisë.
Një aktakuzë ndaj Trump-it nuk do të sillte ndalimin e tij të menjëhershëm, por ai mund të përballej me kufizime udhëtimi në 125 vendet anëtare të GJNP-së.
“Bota e Trumpit do të bëhet shumë më e vogël”, tha Roth, duke e krahasuar me situatën e Vladimir Putinit, i cili ka shmangur disa udhëtime ndërkombëtare që nga lëshimi i një urdhër-arresti nga GJNP në vitin 2022. /middleeasteye.net/