Pse Perëndimi e ledhaton Serbinë?

Shkruan: Daut DAUTI, Londër

Ky është titulli i shumë artikujve që botohen këto ditë me përmbajtje të çudisë. Në fakt, nuk ka asgjë të çuditshme, e as nuk është i ri ky qëndrim i Perëndimit ndaj Serbisë. Perëndimi e ka pasur këtë çasje që nga ardhja e serbëve në Ballkan. Përkrahja, në mënyrë të qetë, është shtuar pas shek. XI kur u bë ndarja e Kishës dhe kur Serbia po përparonte në shtetformim e më vonë në perandori.

Vatikanit dhe Venedikut (aq ishte Perëndimi atëherë), i konvenonte dobësimi i Bizantit. Prandaj, në heshtje, Vatikani, për shkak të urrejtjes ndaj Kishës Lindore (ortodokse), nuk shprehte ndonjë reagim. Në realitet, ka pasur periudha kohore kur Vatikani pretendonte se serbët ishin katolikë. Poashtu, edhe serbët shpreheshin në këtë mënyrë. Ky ka qenë një mashtrim i dyanshëm dhe i qëllimshëm.

Përparimi i Serbisë mesjetare e rrezikonte Bizantin, por më së shumti e dëmtone çenien shqiptare së bashku me shtrirjen gjeorgafike. Tendencën e serbëve për zëvendësim të Bizantit e përfundoi Perandoria Otomane. Kjo perandori i dha fund Bizantit dhe ëndërrës serbe. Gjatë pesë shekujve serbët nuk do të kishin më ndikim në hapësirën shqiptare.

Natyrisht që serbët tentuan disa herë ta destabilizonin apo edhe t’i jepnin fund Perandorisë Otomane. Një nga këto tentime ka qenë periudha e luftërave Austro-Turke kur nën udhëheqjen e Pikolominit forcat serbe kanë qenë në radhë të parë dhe tejet entuziaste në shkatërrimin e vendbanimeve shqiptare, që nga Novi Pazari, nëpër tërë Kosovën e deri në Shkup. Ky rajon u plaçkit dhe u shkatërrua në tërësi dhe në mënyrë aq të egër sa që gati askush më nuk besonte se do të ringjallej.

Në luftën e Perëndimit për shpërbërjen e Perandorisë Otomane, serbët kanë vazhduar të jenë aktivë në shumë mënyra dhe më në fund me armë gjatë Luftërave Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore. Këtu Perëndimi i ka instrumentalizar në tërësi serbët për këtë qëllim. Në shtypin e botës së atëhershme botoheshin në tërësi masakrat serbe ndaj shqiptarëve, por pothuaj asnjë qeveri Perëndimore nuk ia tërhoqi vërejtjen Serbisë për këtë gjenocid. Me rëndësi ishte që Serbia i kishte shërbyer qëllimit të tyre.

Perëndimi i qëndroi pas edhe Jugosllavisë socialiste, i cili shtet me të madhe është konsideruar Serbi për shkak të hegjemonisë që Beogradi ka ushtruar ndaj kombeve tjera. Por, në këtë rast Jugosllavia përkrahej për shkak se si shtet sllav ia kishte kthyer shpinën BRSS-së, folesë së komunizmit dhe pansllavizmit. Vetëm kur Serbia e Millosheviqit tregoi haptas lidhjen me Rusinë dhe refuzimin e plotë ndaj Perëndimit, u bombardua për shkakun e Kosovës.

Pastaj, Perëndimi sërish u kthye ta përkrahë Serbinë. Këtë rast për ta joshur që t’ia kthej shpinën Rusisë. Dhe, përsëri, si gjithmonë, në dëm të shqiptarëve. Tashti pyetja shtrohet: Pse në dëm të shqiptarëve?

Përgjegjja thotë se serbët janë faktorë më të mëdhenj se shqiptarët. Kjo është e vërtetë. Por, as sot e as asnjë herë më parë, nuk ka qenë e domosdoshme e as e logjikshme që kjo përkrahje të rezultojë në pasoja pothuaj katastrofale për shqiptarët. Por, kjo është një rrugë që Perëndimi e ka provuar dhe i ka funksionuar edhepse kjo përkrahje nuk ka qenë zgjidhje adekuate. Një mendim që del nga zemra e plasur thot: askush nuk iu ka faj shqiptarëve që nuk mund të faktorizohen.

Pra, asgjë të re nga Fronti Ballkanik.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button