Protestuesit sulmojnë autokolonën e presidentit argjentinas Milei gjatë tubimit

Protestuesit sulmuan autokolonën e presidentit të Argjentinës, Javier Milei, gjatë një tubimi politik në Lomas de Zamora, Buenos Aires, të mërkurën, raporton Anadolu.
Milei dhe motra e tij, këshilltarja presidenciale Karina Milei, po udhëhiqnin një autokolonë fushate për të promovuar listën e tyre të kandidatëve për në Kongres përpara zgjedhjeve të ardhshme, kur ndodhi incidenti.
Situata u përshkallëzua pasi një grup militantësh të opozitës kundërshtuan tubimin, duke brohoritur slogane dhe duke akuzuar qeverinë për korrupsion të lidhur me agjencinë për personat me aftësi të kufizuar të Argjentinës.
Sende të ndryshme u hodhën drejt automjetit të presidentit, duke shkaktuar evakuimin e tij të menjëhershëm nën masa të rrepta sigurie.
Kandidati për Kongres dhe aleati i Milei-t, Jose Luis Espert, iku nga zona me një motoçikletë, ndërsa presidenti dhe motra e tij u shoqëruan në një vend të sigurt me një automjet të veçantë.
Më vonë shpërthyen përleshje të vogla midis demonstruesve pro dhe anti-qeveritarë në zonë, sipas raportimeve të mediave lokale.



