Protestë në mbështetje të Palestinës në Kanada, kërkohet ndërprerja e shitjes së armëve Izraelit

Konferenca për mbrojtjen ushtarake në rajonin Ontario të Kanadasë, u bë skenë e një proteste nga mbështetësit palestinezë që kërkuan ndërprerjen e shitjes së armëve ndaj Izraelit dhe vendeve të tjera, transmeton Anadolu.
Në mesin e sponsorëve të eventit të mbajtur në qytetin London, ishin të përfshira kompani që shesin armë në Izrael ose me qendër në Izrael, të tilla si General Dynamics, Deltek, Elbit Systems dhe Nortack Defense.
Pas kësaj, afërsisht 100 mbështetës palestinezë rrethuan ndërtesën e konferencës dhe bllokuan hyrjet, duke kërkuar ndërprerjen e shitjes së armëve në Izrael dhe vendeve të tjera.
Demonstruesit protestuan gjithashtu kundër planeve të qeverisë kanadeze për të rritur shpenzimet ushtarake.
Në një video të shpërndarë në mediat sociale, një protestues tha: “Kërkojmë embargo armësh ndaj Izraelit. Është e papranueshme që këto kompani dhe zyrtarë qeveritarë që përfitojnë nga krimet e luftës të vazhdojnë në këtë mënyrë”.
Një protestues tjetër tha se qëllimi i demonstratës ishte të “dënonte korporatat kryesore të mbrojtjes që janë bashkëpunëtorë në gjenocidin në Gaza”.
Pak para se të fillonte eventi, rreth 25 automjete të policisë u vendosën në zonë. Policia ndërhyri ndaj protestuesve, duke shtrirë disa prej tyre në tokë dhe duke ndaluar një person me akuzën e dëmtimit të pronës.