Protestë në Kretë të Greqisë kundër mbërritjes së anijes izraelite në portin e Agios Nikolaosit

Qindra protestues grekë propalestinezë dhe anti gjenocidit protestuan sot kundër mbërritjes së anijes turistike izraelite “Crown Iris” në portin e Agios Nikolaosit në Kretë, raporton Anadolu.
Pavarësisht një pranie të madhe policore në port, protestuesit, që mbanin flamuj palestinezë dhe banderola që përshëndetnin rezistencën palestineze dhe dënonin luftën gjenocidale të Izraelit në Rripin e Gazës, brohoritën “Liri Palestinës”, “Fitore Intifadës” dhe “Stop gjenocidit në Gaza”, raportoi gazeta Prin.
Gazeta vuri në dukje se policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit, ngjashëm me metodat e përdorura kundër demonstruesve që u mblodhën në Rodos të hënën për të protestuar kundër anijes.
Tubimi në Agios Nikolaos u organizua nga Iniciativa e Solidaritetit për Popullin Palestinez, e cila theksoi se komunitetet lokale nuk mund të heshtin përballë krimeve të luftës dhe “normalizimit të gjenocidit” në Gaza.
“Anija simbolizon vazhdimin e rrethimit të popullit palestinez dhe prania e saj në portet greke nuk mund të konsiderohet aktivitet turistik”, tha imiciativa.
Izraeli ka vendosur një bllokadë ndaj Gazës prej 18 vitesh dhe, që nga 2 marsi, ka mbyllur të gjitha pikat e kalimit, duke bllokuar hyrjen e ndihmës humanitare dhe duke përkeqësuar kushtet për 2.4 milionë banorët e enklavës palestineze.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, të paktën 147 persona kanë vdekur nga uria që nga tetori 2023, përfshirë 88 fëmijë.
Izraeli, duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ka vrarë më shumë se 60 mijë palestinezë në Gaza që nga tetori 2023, shumica gra dhe fëmijë. Bombardimet e pamëshirshme kanë shkatërruar enklavën dhe kanë shkaktuar një krizë të rëndë urie.
Të hënën, grupet izraelite për të drejtat e njeriut “B’Tselem” dhe Mjekët për të Drejtat e Njeriut – Izrael, e akuzuan Izraelin për kryerje të gjenocidit në Gaza, duke përmendur shkatërrimin sistematik të shoqërisë palestineze dhe rrënimin e qëllimshëm të sistemit shëndetësor në enklavë.