Protestat kundër qeverisë në Bolivi lënë disa të vrarë

Të paktën katër persona janë vrarë gjatë protestave kundër qeverisë në Bolivi, ku mbështetësit e ish-presidentit Evo Morales janë përplasur me forcat shtetërore në një klimë tensionesh të rritura para zgjedhjeve të ardhshme.

Të enjten, ministri i Drejtësisë Cesar Siles identifikoi katër personat e vrarë si pjesëtarë të shërbimeve të emergjencës, ndërsa një agjenci shtetërore raportoi se tre prej tyre ishin policë dhe një zjarrfikës.

“Tashmë janë katër zyrtarë që kanë humbur jetën,” u tha Siles gazetarëve në La Paz, duke shtuar se disa prej tyre ishin qëlluar me armë zjarri.

Protestat e kësaj jave janë përqendruar kryesisht rreth pakënaqësive ndaj ekonomisë së dobësuar të Bolivisë dhe ndalimit të pjesëmarrjes së Morales në zgjedhjet presidenciale të 17 gushtit.

Protestat janë më aktive në zonat rurale, ku mbështetja për Morales është më e fortë. Një ish-organizator sindikal që shërbeu si president nga 2006 deri më 2019, Morales konsiderohet si udhëheqësi i parë indigjen i Bolivisë dhe simbol i luftës kundër varfërisë.

Megjithatë, tre mandatet e tij presidenciale u shoqëruan me akuza për tendenca gjithnjë e më autoritare. Në vitin 2016, votuesit refuzuan një amendament kushtetues që do t’i lejonte atij të kandidonte për një mandat të katërt, por Morales i kërkoi gjykatave t’i jepnin leje për të kandiduar gjithsesi.

Ai ia doli, por kandidimi i tij në zgjedhjet e vitit 2019 – i shoqëruar me akuza për mashtrim – shkaktoi një krizë politike që e detyroi atë të largohej përkohësisht nga vendi.

Në vitet e fundit, gjykatat boliviane kanë konfirmuar vazhdimisht kufizimin e mandatit presidencial në dy herë dhe i kanë mohuar Moralesit mundësinë për të kandiduar në zgjedhjet e vitit 2025. Morales, nga ana e tij, ka akuzuar qeverinë për shkelje të të drejtave të tij, ndërsa mbështetësit e tij kanë bllokuar rrugë dhe janë përleshur me forcat e sigurisë.

Tensionet janë përshkallëzuar edhe nga përçarjet brenda partisë në pushtet, Lëvizja për Socializëm (MAS), të cilën dikur e drejtonte Morales. Ai u largua nga partia vitin e kaluar pas një përplasjeje me aleatin e tij të dikurshëm, presidentin Luis Arce, për çështje ekonomike dhe ambiciet e këtij të fundit për rizgjedhje.

Muajin e kaluar, Arce njoftoi tërheqjen nga gara e vitit 2025, duke përmendur përçarjet mes votuesve të MAS-it. Megjithatë, ai e akuzoi Moralesin për përpjekje për të organizuar një “grusht shteti” kundër qeverisë së tij.

“Nuk mund t’i quajmë më këto protesta civile. Tani kemi të bëjmë me grupe paramilitare, me armë, ndaj duhet të përgjigjemi me vendosmëri,” deklaroi ministri Siles.

Mediat lokale raportuan se tanke janë dërguar në Llallagua, ku protestat janë më të ashpra.

“Nuk udhëton më askush në këto rrugë dhe asnjë punë nuk po bëhet normalisht. Po na dëmton shumë,” tha për Reuters pronarja e një restoranti, Marlene Poma.

Në një postim në rrjete sociale të enjten, Morales e cilësoi krizën si pasojë të “politikave të papërshtatshme qeveritare dhe shkatërrimit të modelit tonë ekonomik”.

Ai paralajmëroi se, pa ndryshim, vendi do të vazhdojë drejt një “kolapsi total”.

Javën e kaluar, tribunali zgjedhor i Bolivisë vendosi se senatori i majtë dhe aleati i Moralesit, Andronico Rodriguez, mund të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, pasi më parë ishte përjashtuar për arsye teknike.

Ndërkohë, tribunali konfirmoi sërish se Morales nuk do të lejohet të garojë në gusht.

Por përjashtimi i Moralesit, i cili gjatë presidencës së tij mbikëqyri një zhvillim të fuqishëm ekonomik, ka zemëruar thellësisht bazën e tij besnike. Morales ka premtuar se do të vazhdojë betejën për të qenë pjesë e garës elektorale.

Aktualisht, Bolivia përballet me inflacion të lartë dhe rezerva të ulëta valutore, ndërsa shumë mbështetës të Moralesit fajësojnë administratën e Arce për mungesën e zhvillimit në sektorin dikur të fuqishëm të energjisë. /Al Jazeera/

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button