Protesta në të gjithë SHBA-në kundër sulmeve të Izraelit në Gaza

Mbështetësit palestinezë u mblodhën në rajone të ndryshme të SHBA-së për të protestuar kundër sulmeve të Izraelit në Rripin e Gazës, raporton Anadolu.

Protesta pro Palestinës u mbajtën në Washington, Minneapolis, Kaliforni, New York dhe në Chicago. Protestuesit e shumtë që u mblodhën para Shtëpisë së Bardhë në Washington mbajtën flamuj palestinez dhe “kefije” (me ngjyrat e flamurit palestinez).

Protestuesit reaguan kundër sulmeve të Izraelit në Gaza dhe i bënë thirrje administratës së presidentit amerikan Donald Trump të ndalojë ofrimin e mbështetjes me armë për Izraelin.

Ndërkohë gjatë protestës, demonstruesit brohoritën me sloganet “Embargo armësh tani!” dhe “T’i jepet fund këtij pushtimi menjëherë!”.

Disa protestues pro-palestinezë mbajtën pankarta me mbishkrimet “Jepini fund të gjithë ndihmës së SHBA-së për Izraelin”, “Palestina e Lirë”, “Lironi (aktivistin palestinez) Mahmoud Khalil” dhe “Bombat amerikane shkaktojnë që mjekët në Gaza të kryejnë amputime pa anestezi”.

Ndërkohë edhe para Konsullatës izraelite në San Francisco të Kalifornisë u mbajt një protestë në mbështetje të Palestinës dhe për të reaguar ndaj Izraelit.

Po ashtu qindra persona protestuan kundër sulmeve të fundit të Izraelit në Gaza në “Times Square” në New York. Protestuesit valëvitën flamuj palestinezë, brohoritën slogane dhe mbajtën pankarta që bënin thirrje për t’i dhënë fund dhunës.

Në Chicago protestuesit u mblodhën para Konsullatës izraelite për të protestuar kundër sulmeve të Izraelit në Gaza dhe shkeljes së armëpushimit. Duke mbajtur pankarta dhe duke brohoritur me slogane, protestuesit kërkuan zgjidhje urgjente të krizës që vazhdon.

Një grup pro-palestinez mbajti protestë në mbështetje të Palestinës përpara gjykatës Diana E. Murphy në Minneapolis. Duke mbajtur flamuj dhe pankarta palestineze, protestuesit dënuan sulmet e Izraelit në Gaza.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button