Pronari i “Ritron Copy” është arrestuar për tenderët për televizorë në Lotarinë Shtetërore
Pronari i kompanisë “Ritron Copy” nga Kumano, Artan Ajruli, është arrestuar, njofton Radio Evropa e Lirë (REL). Arrestimi i Ajrulit është pjesë e një hetimi tjetër të lidhur me veprimtarinë e udhëheqjes së mëparshme të Loterisë Shtetërore. Bëhet fjalë për tenderët fituar për blerjen e televizorëve për shoqërinë aksionare shtetërore.
Më 17 dhjetor, REL publikoi se numërimi i pajisjeve të blera u bë me kërkesë të Policisë Financiare, e cila po heton blerjet e pajisjeve televizive në përmasa të ndryshme nga “Ritron Copy”. Policia Financiare po kontrollon dërgesat nga kjo kompani nga Kumano për numrin e televizorëve të dorëzuar dhe nëse bëhet fjalë për të njëjtat marka për të cilat janë nënshkruar kontratat.
Për katër muaj, hetuesit po shqyrtonin edhe tenderë të tjerë të Loterisë Shtetërore për marketing dhe promocion që ishin të lidhur me këtë kompani. Bëhet fjalë për një kompani të një djali të ri nga Kumano, i cili kishte nënshkruar një kontratë për blerjen e terminaleve të lojërave të fatit për nevojat e Loterisë Shtetërore.
Vitin e kaluar, REL shkroi se një tender prej rreth 205,000 eurosh u fitua nga kompania “AP Solutions”, pronari dhe menaxheri i së cilës, Fljamur Nezatoski, gjatë asaj periudhe ishte i punësuar në “Ritron Copy”, kompania që në fakt ishte edhe konkurenca e vetme në tender. Atëherë, 19-vjeçari Nezatoski nuk u përgjigj pyetjeve të R-së rreth njohurive të tij në tregti dhe aplikime për tenderë, duke marrë parasysh moshën e tij, nga do t’i sigurojë terminalet për Loterinë dhe nëse mund të ishte një pronar fiktiv i “AP Solutions”.
Të dhënat publike të shpërndara për kompaninë “Ritron Copy” në Facebook zbulonin gjithashtu foto nga viti 2016 të Artan Ajrulit dhe Perparim Bajramit, i cili në atë moment nuk mbante ndonjë funksion në Loterinë Shtetërore.
Analiza e tenderëve tregon se që nga janari 2022, periudha kur Perparim Bajrami mori pozitat udhëheqëse si drejtor i përgjithshëm në “ Lotarinë Shtetërore”, kompania “Ritron Copy” ka fituar tenderë në këtë shoqëri aksionare.
Byroja për prokurime publike tregon se Loteria Shtetërore ka nënshkruar gjashtë kontrata me këtë kompani për blerjen e televizorëve, pajisjeve kompjuterike dhe komunikimi, pajisjeve multifunksionale dhe stacione grafike për nxjerrjen e numrave në TV.
Kontratate janë nënshkruar në periudhën nga qershori 2022 deri në mes të tetorit 2023, dhe vlera e tyre ishte 365.252 euro. Pas largimit të Perparim Bajramit nga pozita udhëheqëse, Loteria Shtetërore ndaloi kontratat kornizë dhe nuk i përdor më shërbimet e kompanisë.