Prokuroria e Shkupit zgjeron hetimet edhe ndaj prindërve të Vasil Jovanovit
Prokuroria e Shkupit i shtrin hetimet edhe ndaj prindërve të Vasil Jovanovit, i cili në rrugën “Aradhat Partizane” të Shkupit, nën efektin e alkoolit, ka shkelur Frosinën teksa kapërcente një vendkalim për këmbësorë.
Prokuroria tashmë ka deklaruar se do të kërkojë dënimin më të ashpër për Jovanovin, i cili aktualisht ndodhet në burgun hetimor në Shutkë.
Kryeprokurori i Shkupit, Gavril Bubevski, në një konferencë për media sqaroi se veprën e konsiderojnë si me dashje dhe se pas ekspertizës do të pasohet kallëzim përkatës penal.
Babai i Frosinës, i cili dje ishte mysafir në “Tema e ditës” në Sitel, tha se familja e tij kërkon dënimin më të lartë.
Sipas tij, Vasili ka lëvizur me shpejtësi. Ai tha se nuk sheh asnjë pendim nga ana e shoferit apo familjarëve të tij dhe se nuk do të donte të takohej me ta, as me gjyqtaren që paraprakisht vendosi që Vasili të shkonte në shtëpinë e të miturve për një vepër të lidhur me drogë edhe pse ai ishte i rritur.
Ndryshe, Frosina Kulakova ka ndërruar jetë më 29 janar pasi ishte goditur me veturë në një vendkalim për këmbësor nga 20-vjeçari . Prokuroria kishte sqaruar që paraprakisht është bërë kallëzim edhe për një aksident tjetër të ndodhur më 04.11.2022 nga po i njëjti person, pas së cilës një person ka mbetur i lënduar.
Para vendkalimit të këmbësorëve të rregulluar me semaforë që punonin në rregull në momentin e aksidentit, ai ka vazhduar lëvizjen me semafor të kuq të ndezur dhe ka goditur trupin e këmbësores-viktimës Frosina Kulakova me pjesën e përparme të majtë të veturës.