Projekti për konvertim fetar në Kosovë, heshtja koncensuale dhe pasojat eventuale

Shkruan: Milazim KRASNIQI – Prishtinë
Rrënjët fetare dhe burimet ideologjike e gjeopolitike të ideve dhe projekteve për çrrënjosjen e Islamit nga trojet shqiptare e posaçërisht ng Kosova janë të vjetra, sepse vetë Europa ka qenë trualli i projekteve të tilla që nga koha e Renesansës Karolinge, nga kryqëzatat, nga koha e Rekonkuistës dhe Inkuizicionit, e deri te Rendi i Ri Botëror i fundshekullit XX përkatësisht islamofobia e shekullit XXI. Strategjia e të ashtuquajturës paqja kryqtare, në fillimet e veta, kishte si objektiv kryesor që konfliktet e luftërat t’i nxirrte jashtë krishterimit e jashtë Europës, me cak kryesor luftën kundër Islamit. Në atë strategji u mishërua përpjekja disashekullore për çrrënjosjen e plotë të Islamit nga vetë trualli europian, fillimisht nga gadishulli apenin në shekullin XI, mandej nga gadishulli iberik, në shekullin XV, për të arritur radha për gadishullin ballkanik në shekujt XIX e XX.
E vërteta është se pavarësisht strategjisë dominante të paqes kryqtare, konfliktet e luftërat fetare në truallin europian, kanë shpërthyer edhe brenda vetë Krishterimit.
Po të lëmë jashtë vëmendjes përndjekjet e mëhershme disashekullore kundër të krishterëve në Romën pagane, konfliktet brendakrishtere, me ndarjen e Perandorië në dy pjesë në shekullin IV, sidomos me ndarjen e kishave në vitin 1054, kanë prodhuar shumë dhunë e fatkeqësi. Edhe rebelimi protestant, si edhe revolucioni francez i cili ishte edhe antiklerikal e deri te marksizmi ateist, kanë shkaktuar tronditje e dhunë. Pra, mund të thuhet se trualli europian është një lloj zone seizmike hiperaktive e tronditjeve të vazhdueshme antifetare. Gjithsesi tronditjet më të mëdha kanë qenë në drejtim të botës muslimane, si brenda Europës si jashtë saj. Ballkani ka mbetur synim i vazhdueshëm i asaj strategjie. Meqë ka mbetur pjesa e vetme e truallit europian, ku Islami nuk u çrrënjosë, Ballkani vazhdon të jetë në fokus të projekteve të tilla, gjë që u pa me gjenocidin në Bosnje në vitet 1991-1995 dhe në Kosovë në vitet 1998-1999. Aty ku nuk ka kryer punë gjenocidi, vazhdon propaganda antiislame, duke pritur ndonjë mundësi tjetër në të ardhmen.
Për prirjen obsesive antiislame, në Perëndim është përpunuar edhe një literaturë voluminoze teorike e artistike, e cila e përshkruan, e vlerëson dhe e motivon atë obsesion antiislam. Orientalizmi si tërësi e disiplinave që e portretojnë, e deformojnë dhe e përgatisin për nënshtrim Lindjen përkatësisht Islamin, është sintezë e gjithë asaj ndërmarrjeje shumë shekullore. Edhe pse është denoncuar si dije dhe ideologji johumane dhe në shërbim të krimit, sidomos në studimin monumental të Edvard Saidit, Orientalizmi ka ngelë ndërmarrje virulente deri në ditët tona, natyrisht duke u modifikuar në realitetet e reja fetare, ideologjike e gjeopolitike.
Me këtë rast po e sjellë në vëmendje, vetëm sa për ilustrim, poemën “Kënga e Rolandit”, e cila si jehonë e kryqëzatës së parë, glorifikon luftën e të krishterëve kundër muslimanëve, (saraçenëve) me ç’rast muslimanët paraqiten si paganë, si njerëz që të vetmen gjë të bardhë në trup i kanë dhëmbët (pra prezentim tipik racist), ndërsa Muhamedi (a.s) poashtu përshkruhet me fjalë të rënda, si burim i të keqes, faktikisht ashtu siç ishte portretuar edhe në fjalimin e papa Orbanit në Horms, me rastin e shpalljes së kryqëzatës. Vrasjen e muslimanëve autori e paraqet edhe në vargje kaq eksplicite, të cilat në terminologjinë e sotme do të mund të quheshin si gjenocidale:
Nëpër qytet asnjë pagan s’ka mbetur:
Të gjithë u vranë ose u bënë kristianë. (Kënga e Rolandit:26)
Në fakt, zbatimi konkret i kësaj ideje të vrasjes së të gjithë muslimanëve ose rikrishterizimi i tyre u bë në Spanjë e në Portugali në shekullin XV, ku muslimanët bashkë me hebrenjtë praktikisht u çrrënjosen nga gadishulli iberik me metodat të cilat Simon Vizenali në librin e tij “Veli i shpresës” i krahason me metodat gjenocidale të nacionalsocializmit hiterian të pesë shekujve më vonë.” Ajo që thotë Vizentali për antisemitizmin se “për ta eliminuar antisemitizmin, duhet të zbulohen rrënjët e tij”, vlen edhe për islamofobinë. Pra, për ta eliminuar islamofobinë e sotme, duhet të zbulohen e të denoncohen si gjenocidale rrënjët e saj. Kjo është sidomos aktuale në rastin tonë shqiptar e sidomos kohët e fundit në Kosovë. Kosova ka qenë dhe ka mbetur halë në sytë e atyre që duan ta çrrënjosin Islamin nga trualli europian.
Në fakt edhe Lufta e Parë Ballkanike e katër shteteve (Malit të Zi, Serbisë, Greqisë e Bullgarisë) kundër Shtetit Osman në vitet 1912-1913 qëllimin kryesor e kishte që nën pretekstin e dëbimit të osmanëve nga trualli europian, të çrrënjoste të gjithë muslimanët, në rend të parë shqiptarët, turqit e boshnjakët. Siç konstaton historiani amerikan Xhastin Mc Carthy në librin “Vdekje dhe dëbim- Spastrimi etnik i myslimanëve osmanë, 1821-1922”, “në Luftërat Ballkanike, secili nga fitimtarët gjithashtu dëshironte që të shihte një fund të pranisë muslimane në tokat që ata kishin pushtuar.”(f.171) Pra, rrënjët e iniciativave të sotme për çrënjosjen e fesë islame nga Kosova, janë atje, te luftërat ballkanike, ku objektiv ishte eliminimi i pranisë muslimane në shtetet ballkanike. Projekti u realizua pjesërisht, por jo plotësisht.
Faktet e publikuara deceniet e fundit mbi krimin ndaj muslimanëve janë tronditëse, sepse zbulojnë se në kufijtë e Shtetit Osman, për një shekull, (1821-1922) jnë vrarë pesë milionë e gjysmë muslimanë dhe pesë milionë të tjerë janë dëbuar nga vatrat e veta. Në rastin shqiptar të dhënat demografike të publikuara po nga demografi amerikan Xhastin Mc Carthy na thonë se në luftërat ballkanike janë vrarë 27% e shqiptarëve dhe 35% të tjerë janë dëbuar nga vatrat e veta. Pra, 60% e shqiptarëve, ose janë vrarë, ose janë dëbuar nga trojet e veta për vitet 1912-1913! Ata që kanë mbetë u janë ekspozuar përjekjeve për t’u kthyer me dhunë në krishterim, siç ka qenë projekti i Malit të Zi gjatë Luftës së Parë Botërore. Ndërsa, ndërmjet dy luftërave botërore, në Serbi janë hartuar elaborate e janë bërë mnarrëveshje për dëbimin e plotë të të gjithë shqiptarëve. Absurditet më vete paraqet fakti që edhe në Jugosllavinë e Titos, në vitin 1953 është aktivizuar marrëveshja për shpërnguljen e shqiptarëve.
Me pak fjalë, ky është sfondi fetar, ideologjik e historik, ku tash janë rikthyer idetë dhe projektet për ndëshkimin e shqiptarëve muslimanë të Kosovës, me ndërrimin e fesë, tash për tash me dhunë propagandistike e psikike. Pra, e shikuar në këtë kontekst të gjerë kohor, “Lëvizja e Deçanit”, ose ‘Lëvizja për Rikthim” është vazhdimësi e atyre projekteve të vjetra e të reja për çrrënjosjen e muslimanëve nga Ballkani e nga Europa.
Pra, është vazhdimësi e projekteve të vjetra, por kësaj radhe me autorësi formale shqiptare e gjoja për ta forcuar shqiptarizmin, gjë që paraqet paradoks më vete. Si u bëka që një komb forcohet duke u prishë? Këtë gjë nuk arrin ta kuptojë asnjë mendje normale.
Mbase këtu është rasti të thuhet se kombi shqiptar ka qenë një ndërmarrje e përbashkët e të gjitha komuniteteve fetare, e të gjitha rajoneve, e të gjitha shtresave shoqërore, por e sigurt është se pa participimin vendimtar të shqiptarëve muslimanë, si shumica absolute brenda etnisë shqiptare, kurrë nuk do të mund të formohej një komb shqiptar. Shqiptarët ortodoks u inkuadruan në lëvizjen kombëtare shqiptare, për të shpëtuar nga asimilimi në grek, që sponsorohej nga shteti grek e nga Kisha Greke. Edhe shqiptarët katolikë, ndonëse në numër më të vogël, iu bashkuan lëvizjes kombëtare, të bindur se jashtë saj do të gllabëroheshin nga sllavët, sikundër e thotë qartë edhe Mati Logoreci.
“Ne katolikët shqiptarë ekzistojmë në saje të muslimanëve. Po të mos ishin Muslimanët, sllavët prej kohësh do të na kishin asimiluar ose do të na kishin përzënë prej këndej. “
Nuk ka si thuhet më qartë. Bile përkundër mbrojtjes që patën nga shqiptarët muslimanë, disa fise katolike u asimiluan në serbë e disa fise të tjera lidhen aleancë me Malin e Zi e më vonë edhe me Serbinë, siç bëri Gjon Marka Gjoni me formimin e ”Republikës së Mirditës, si projekt për ta shkatërruar shtetin shqiptar.
Ngado që ta shikosh, kombi shqiptar është ndërmarrje e përbashkët, me kontributet vendimtare të shqiptarëve muslimanë.
Prandaj ata që tentojnë të paraqesin katolikët si vulëmbajtës të shqiptarizmit, thjesht janë gënjeshtarë. Pikërisht mbi atë gënjeshtër janë duke tentuar ta mbështesin edhe projektin e ri për nxitjen e largimit nga feja islame, si gjoja kthim në shqiptarizëm. Në një rast e kam trajtuar raportin e katolicizmit me shqiptarizmin dhe kam argumentuar se nuk ka asnjë lidhje ndërmjet tyre.
Tash këtu na imponohet pyetja: pse projekti i ri kundër fesë islame ka rifilluar në Kosovë, e jo fjala vjen në Shqipëri, ku ka një komunitet më të madh të katolikëve e ku në fakt ka ekzistuar para vitit 1912 një projekt austriak për formimin e një shteti katolik shqiptar? Bile ka ekzistuar paraprakisht edhe një projekt i priftit Preng Doçi, për formimin e një principate katolike, e cila do të bashkonte të gjitha fiset e viset katolike të veriut. Pra, pse nuk iu rikthyen asaj përpjekjeje, po duan të provojnë në Kosovë, ku i vetmi kontest fetar është me ortodoksinë serbe? Përgjigjja është e lehtë: po eksperimentohet në Kosovë, pasi që Kosova është me status të krizës ndërkombëtare, ku prezenca civile e sidomos ushtarake e huaj u mundëson ambient të përshtashëm për misionin e tyre antiislam. Bile me sa është parë deri sot, ato organizata hibride antiisalme janë të patrazuara nga prezenca civile e ushtarake ndërkombëtare, si edhe nga organet tona të drejtësisë, të cilat në instancë të fundit, duket se janë të influencuara nga faktorët ndërkombëtar. Pra, nuk mund të përjashtohet hipoteza se “Lëvizja e Deçanit” përkatësisht “Lëvizja për Rikthim”, e ka një përkrahje të maskuar të disa faktorëve ndërkombëtar, me përparësi të qarqeve ekstreme klerofashiste. Me gjasë edhe të Vatikanit, pasi që ceremonitë e konvertimeve të personave të ndryshëm që po rekrutohen, bëhen në kishat nën administrimin e Selisë së Shenjtë. Hierarkia absolute e Kishës Katolike nuk lejon që aktivitete të kësaj natyre të organizohen pa dijeninë, ose pa lejen e saj. Aq më tepër në një vend si Kosova, i cili është nën rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-ë dhe me prezencë ushtarake të NATO-s, ku rreziku i destabilizimit nga këso provokimesh të ndjenjave fetare, mund të ketë efekte të përmasave ndërkombëtare.
Në tërë këtë sfond, kihet përshtypja sikur edhe mosnjohja e shtetit të Kosovës nga Vatikani, mund të jetë e kalkuluar nga tentativa të këtilla prozelituese.
Edhe heshtja e Bashkimit Europian dhe e shteteve të veçanta europiane ndaj provokacioneve që bëhen me projektin e konvertimit me dhunë propagandistike e psikike të shqiptarëve muslimanë në Kosovë, është indikative. Në parim, për Europën e sotme thirrjet dhe projektet për konvertim fetar janë jashtë standardeve të saj. Prandaj heshtja kaq e gjatë e institucioneve europiane dhe e shteteve europiane, mund të kuptohet si një miratim i heshtur. Ato reagojnë ashpër dhe zëshëm për një propozim që Lista Serbe, fjala vjen, të mos marrë pjesë në zgjedhje, por nuk reagojnë kur një milionë e gjysmë shqiptarëve muslimanë u thuhet se duhet ta braktisin fenë e tyre dhe të kalojnë në krishterim, ani pse shqiptarët muslimanë të Kosovës me asgjë nuk kanë dhënë ndonjë shenjë për ndonjë lëkundje të bindjeve të tyre fetare islame. Pra, pse heshtin shtetet europiane dhe Bashkimi Europian?
Po heshtja e institucioneve shtetërore, policisë, prokurorisë, qeverisë dhe partive politike, si duhet të kuptohet? Mua më dukët si një heshtje e motivuar nga pozita neokoloniale që i është imponuar Kosovës. Si është e mundshme që është regjistruar “Lëvizja për Rikthim” në administratën e shtetit tonë? Si është e mundshme që i lejohet të përhapë urrejtje kundër fesë islame, gjë që me Kushtetutën e vendit tonë është e dënueshme?
Meqë klima politike dhe e sigurisë është e atillë që e ka nxitë dhe e stimulon këtë projekt kundër fesë islame, mund të pritet që të ketë presione edhe më të orkestruara. Shkalla e tyre do të varet jo vetëm nga synimet e tyre, sepse synimet e tyre po shihet se janë të shfrenuara, po edhe nga aftësia jonë për të refuzuar këtë presion e për t’u mbrojtur prej tij. Organizimi sa më i mirë i komunitetit tonë islam është përgjigjja adekuate ndaj gjithë këtyre pretendimeve. Organizimi më i mirë nënkupton fuqizimin e institucioneve fetare, adresimin ligjor të rasteve që vlerësohen si dhunë ndaj ndjenjave fetare, aftësimin për të paraqitur në publik vlerat tona si besimtarë, dhënien e mesazheve për bashkëjetesë paqesore me të gjitha komunitetet fetare dhe forcimi i identitetit tonë kombëtar e fetar.
Heshtja para këtij provokimi të ndyrë, nuk është zgjidhja e duhur. Frika para këtyre shantazhuesve të pështirë, duhet të përjashtohet si mundësi. Dialogu me njerëzit vullnetmirë duhet të mbetet synim yni strategjik, sepse si komuniteti fetar shumicë absolute, përgjegjësinë e kemi më të madhe se sa të gjithë të tjerët.
Nëse arrijmë organizim të duhur, ashtu siç Zoti ka kërkuar nga besimtarët, jo vetëm frenojmë aktivitetet antiislame të vagabondëve, (ashtu quheshin nismëtarët e ndërrimit të fesë me dhunë në Spanjën mesjetare) por mund t’ua ndryshojmë perceptimet e sjelljet ndaj nesh edhe faktorëve të tjerë. Dhe mund ta ndalim këtë veprim të rrezikshëm, i cili ndër pasojat eventuale mund të hapë edhe temën e mbyllur moti, temën e mënyrës së formimit të kombit tonë shqiptar dhe të kontributeve që kanë dhënë në formimin dhe historinë e tij secili komunitet fetar. Prandaj ata duhet të ndalen, të mos provokojnë, të mos bëjnë presion e dhunë propagandistike e psikike, sepse ne nuk e kemi ndërmend të lëvizim asnjë milimetër nga besmi ynë islam, nga identiteti ynë shqiptar dhe nga përkatësia jonë europiane. Ne jemi këtu për të vazhduar kështu.
Kur nuk na kanë larguar nga islami, nga shqiptaria dhe nga Kosova jonë aleancat ushtarake të shteteve ballkanike, sponsorizimet e disa fuqive europiane, gjenocidet e përsëritura, nuk ka shans të na largojnë nga ky identitet yni i rrënjosur e i vulosur as ata që Simon Vizentali i identifikon si vagabond në fillimet e Rekonkuistës dhe të Inkuizicionit. Vagabondë janë edhe këta tash. Por për dallim nga Spanja mesjetare, në rastin tonë shteti është yni e nuk mund të jetë kurrë në duart e vagabondëve, që tentojnë ta deformojnë historinë dhe të ardhmen tonë.
10 dhjetor 2025



